Bëhen publike detaje nga plani i hakmarrjes izraelite ndaj Iranit për sulmet e 1 Tetorit. CNN shkruan se detaje nga 2 dokumente, përmes të cilave qeveria izraelite informonte administratën Bajden për mënyrën se si do të kryejë sulmin hakmarrës ndaj Iranit, të kategorizuara nga autoritetet amerikane si informacione tepër sekrete, kanë rrjedhur në rrethana ende të paqarta dhe po qarkullojnë në internet.
Sipas CNN, në këto dokumente thuhet se Izraeli ka nisur lëvizjen e armatimeve brenda vendit dhe se ka përfshirë në stërvitjet ushtarake raketa tokë – ajër, të cilat siç duket do të përdoren në hakmarrjen ndaj Iranit. Në njërin nga dokumentet pohohet se Irani ka armë bërthamore, diçka që Izraeli ka refuzuar gjithmonë ta konfirmojë publikisht.
Megjithatë, në deklaratat e mëhershme të zyrtarëve amerikanë është thënë se kryeministri Benjamin Netanjahu ka siguruar presidentin amerikan Xho Bajden se nuk do të shenjestrojë sitet bërthamore të Iranit në këtë kundërpërgjigje. Nëse kjo do të ndodhte, do të shkaktonte një ndarje të madhe në aleancën mes Uashingtonit dhe Tel Avivit.
Hetuesit në Shtetet e Bashkuara kanë nisur hetimet për mënyrën se si kanë rrjedhur këto informacione të sigurisë së lartë. Grabitja nga hakerat është një nga mundësitë, por nuk thuhet nëse ata kanë qenë iranianë.
Tv Klan