Pas anulimit të tre koncerteve të këngëtares Taylor Swift në Vjenë, pasi u dyshua për një sulm terrorist, CIA bën të ditur se të dyshuarit e këtij komploti kishin planifikuar që të vrisnin një numër të madh njerëzish.

Zëdhënësi i CIA-s, David Cohen në një prononcim për mediat e huaja tha: Ata po planifikonin që të vrisnin një numër të madh, dhjetëra mijëra njerëz në këtë koncert. Plani i tyre ishte i avancuar.

Tre adoleshentët e dyshuar u arrestuan në lidhje me sulmin që ishte planifikuar të ndodhte. Sipas informacioneve nga autoritete ata ishin të “frymëzuar” nga grupi i Shtetit Islamik.

“Autoritetet austriake ishin në gjendje që t’i arrestonin sepse agjencia dhe partnerët tanë në komunitetin e inteligjencës u dhanë atyre informacionet e duhura se çfarë po planifikonte të bënte ky grup i lidhur me ISIS-in,” shtoi më tej zëdhënësi i CIA-s, duke mos bërë të ditur se si agjencia e tij e kishte arritur ta zbulonte këtë komplot.

Koncertet e Taylor Swift ishin planifikuar të nisnin më 7 Gusht në Vjenë dhe pritej që të ndiqej nga më shumë se 200 mijë njerëz. Një ditë përpara shfaqjes së parë, organizatorët e shfaqjeve njoftuan se shfaqet do të anuloheshin pasi ishte paralajmëruar për një “sulm të organizuar terrorist”.

Po atë ditë autoritete arrestuan dy adoleshentët e dyshuar, kurse i treti u arrestua dy ditë më vonë. Autoritet thanë se i dyshuari kryesor ishte një 19-vjeçar, shtetas austriak i cili ishte zotuar për besnikëri të palëkundur ndaj Shtetit Islamik./tvklan.al