Policia arreston një nga autorët, në kërkim 2 të tjerë
Pas më shumë se 6 muajsh hetime, Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Posaçme kanë zbuluar se 35-vjeçari Amarildo Nikolli, i arrestuar në Vlorë në Gusht të 2023 në Vlorë do të vriste Inez Hajrullën.
Fillimisht çështja ndaj Nikollit u trajtua nga Gjykata e Vlorës për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municionit”, ndërsa më pas u zbulua se ai ishte kontraktuar kundrejt pagesës për eliminimin e Hajrullas. I riu nga Shkodra ka dyshime të jetë kontaktuar nga 3 persona tashmë të identifikuara nga SPAK, si organizator të këtij atentati.
Konkretisht bëhet fjalë për 35-vjeçarin Muharem Koroveshi nga Vlora, i arrestuar këtë të shtunë nga policia, si dhe dy bashkëpunëtorë të tij, të cilët janë shpallur në kërkim.
Referuar burimeve, këta persona kishin angazhuar Amarildo Nikollin për të eliminuar Inez Hajrullën, një eksponent i fuqishëm i botës së krimit në Vlorë, i cili i ka shpëtuar disa atentateve. Plani për eliminimin e tij dështoi pasi 35-vjeçari Nikolli u arrestua nga Policia e Vlorës dhe në çantën e shpinës uniformat blu i gjetën pistoletë me silenciator gati për qitje.
Nuk dihet rrethanat apo provat që ka mundur të sigurojë SPAK, për 3 personat që dyshohet se planifikuan vrasjen, por burime bëjnë me dije se ata dhe grupi i Inez Hajrullës prej vitesh janë në konflikt me njëri-tjetrin, përplasje kjo që ka prodhuar jo pak viktima.
Tv Klan