Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim pranoi kritikat e bashkëpronarit të klubit Xhim Retklif për skuadrën, por theksoi se ata kanë si qëllim që t’ia ndryshojnë mendjen.
Miliarderi britanik u shpreh se disa futbollistë ose nuk ishin mjaftueshëm të mirë ose të paguar shumë.
Por Retklif vlerësoi si të shkëlqyeshme punën e bërë nga trajneri portugez, për të cilin mendon se mund të qëndrojë në stolin e “Djajve ë kuq” për një kohë të gjatë.
United pozicionohet në vend të 14 në renditjen e Premier Ligës, 36 pikë pas kryesuesve të Liverpulit.
Amorim e pranoi se ecuria e ekipit i meriton kritikat.
“Po të tregohemi të sinqertë, si unë ashtu edhe lojtarët, jemi nën nivel në këtë sezon. Por mund ta ndryshojmë këtë! Të marrim futbollistë si Kasemiro, që kanë fituar gjithçka e mund të bëjnë më mirë. Pra, Retklif kishte të drejtë! Synimi ynë është t’ia ndryshojmë mendjen atij, e po ashtu edhe njerëzve të tjerë! Kjo arrihet me rezultate! Në stërvitje e shikoj se lojtarët e dëshirojnë fort këtë”.
“Djajtë e kuq” presin Real Sociedad në sfidën e kthimit të të 16-ve të Ligës së Europës, me ndeshjen e parë në Spanjë që u mbyll 1-1.
“Na duhen energji që ta mbyllim këtë sezon në një mënyrë ndryshe, kështu që sfida me Sociedad do të jetë shumë e rëndësishme për ne”.
Te United ëshë kthyer Meson Mount në stërvitje, duke lënë pas shqetësimin në muskul, që e ka mbajtur jashtë që nga muaji Dhjetor.
I disponueshëm është edhe Manuel Ugarte, që mungoi në dy sfidat e fundit, ndërsa qendërmbrojtësit Meguajër dhe Leni Joro nuk do të luajnë në këtë takim.
Klan News