Opinion- Mes mbledhjes së datës 17 dhe 19 Dhjetor të 1981 ndodhi vetëvrasja e ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehu. Në emisionin “Opinion” realizuar më datë 21.10.2010, gazetari Blendi Fevziu sjell materiale të pa transmetuara më parë.
Thuajse gjysma e kupolës komuniste u zhduk duke filluar nga viti 1971 deri në vitin 1982. Në vitin 1981 u zhduk ai që konsiderohej njeriu më i rëndësishëm i regjimit pas Enver Hoxhës dhe që për 27 vite ishte Kryeministër i vendit, Mehmet Shehu.
Më 19 Dhjetor të vitit 1981 pasi kishte marrë vesh për vdekjen mikut të tij Mehmet Shehu, Enver Hoxha hyn në mbledhjen e Plenumit të Komitetit Qëndror që do të vendoste dënimin e ish-Kryeministrit. Enver Hoxhës i mjaftuan vetëm 24 orë për ta etiketuar Mehmet Shehun si armik, agjent apo shërbëtor të imperializmit.
Në mbledhjen e 19 Dhjetorit 1981, vendimi i parë i diktatorit Hoxha ishte përjashtimi nga partia i Mehmet Shehut pas vdekjes. Dhe pavarësisht amanetit të fundit që Mehmet Shehu i linte në letër Enver Hoxhës që t’i mbronte familjen, diktatori merr vendimin për internimin e saj vetëm 4 ditë pas vdekjes së ish-Kryeministrit.
Më datë 17 Dhjetor për 8 orë e 50 minuta Byroja Politike ka diskutuar autokritikën e Mehmet Shehut. Pas gjithë këtyre orëve Enver Hoxha i dha këshillat e fundit ish-Kryeministrit duke i thënë të reflektojë dhe të sjellë deklarata me baza.
“Që të arrish në një konkluzion sonte natën, sepse sonte natën nuk do të zërë gjumi sepse këto shqetësime gjumin na e prishin. Por për ty është e rëndë kjo situatë dhe ne do të përpiqemi që nesër kjo situatë të mos rëndohet. Unë të këshilloj të rrëzosh këtë autokritikë alibi sepse ke gjetur një alibi për të shfajësuar gabimin politik që ke bërë. Kjo alibi ra përpara logjikës së fortë marksiste-leniniste dhe shokëve, nuk mban kjo alibi. Nëse e hedh poshtë atë alibi do ta gjykosh brenda një kohe të shkurtër, këto që thanë shokët janë mësime për të gjithë ne. Nuk ka asnjë nga ne që në veten e tij të mos ketë një grimë mikroborgjeze. Shokët e gjykuan drejt situatën ndaj duhet ta gjykosh edhe ti. Ishte e rëndë jo vetëm për fejesën, por në drejtimin e punëve shtetërore. Ishte një situatë shumë e rëndë dhe unë mund të them që çdo e keqe ka të mirën e saj. Kjo e keqe u bë mirë që u hap dhe ti je autor i saj. E bëre këtë gabim, por i ke bërë një shërbim partisë. Kjo situatë do ta shkundë Mehmetin. Reflekto sonte dhe flasim nesër”,thotë diktatori Hoxha përpara se të mbyllte mbledhjen e datës 17 Dhjetor.
Por agresiviteti me të cilin iu drejtuan Mehmet Shehut ishte aq i madh sa e bëri ish-Kryeministrin të kuptojë se po shkonte drejt gijotinës. /tvklan.al