Bashkëjetesa në komunitet aq sa është e bukur, aq është dhe e vështirë. Aq më tepër kur bëhet fjalë për të gjetur rrugën e përbashkët të komunikimit, në rastet e përplasjeve të interesave. Qenia njerëzore është e prirur që të shfajësojë veten e të shmanget nga përgjegjësia e fajit. E pikërisht për të tilla raste hyn në skenë ligji. Rubrika “Ligji i Rrugës” në “Rudina” në Tv Klan bashkë me avokaten Margarita Kola u japin një shpjegim ligjor të tilla rasteve që secili prej nesh i ka hasur të paktën një herë gjatë përditshmërisë së tij në komunitet.
Rasti i kësaj të mërkure i referohet problemit të bashkëjetesës në pallate ose lagje. Bëhet fjalë për pagimin e kësteve për mirëmbajtjen e pallateve. Megjithëse është një detyrim i gjithësecilit, shumë administratorë ankohen për neglizhencën e qytetarëve për të paguar këtë detyrim.
Vox pop-et e zhvilluara nga gazetaret e “Rudina” tregonin se shumë qytetarë ndanin mendime të ndryshme sa i takonte pagesës së kësaj tarife. Një pjesë e tyre shpreheshin të gatshëm, kurse një pjesë tjetër nuk e shihnin të arsyeshme. Kishte dhe nga ata që në pallatin ku banonin nuk kishin administratorë dhe pastrimin e shkallëve e bënin me radhë.
Për këtë rast avokatja Margarita Kola tha se është hartuar një projektligj i ri i cili është shumë afër standardeve europiane dhe pritet që të miratohet. Ligji aktual parashikon që për të gjithë personat të cilët nuk paguajnë tarifën e mirëmbajtjes, duhet të paguajnë një kamatëvonesë me 10%. Por, projektligji i ri parashikon që kjo kamatëvonesë të shkojë në 30%.
Në rastet se nuk paguhet brenda 3 muajve, administratori i pallatit detyrohet të bëjë një mbledhje me ansamblin e pallatit. Ku asambleja janë të gjithë bashkëpronarët e pallatit. Bashkarisht ata duhet të ndërtojnë një akt me shumën e papaguar, kjo është në bazë të projektligjit të ri. Ligji i vjetër kërkon që të bëhet titull ekzekutiv në gjykatë, kurse projektligji i ri po synon për ta hequr këtë burokraci, duke e bërë automatikisht titull ekzekutiv që të lejon t’i drejtohesh përmbarimit, i cili merr shumën e kërkuar nga banori i pallatit./tvklan.al