Një rast i trafikut ndërkombëtar të kokainës u godit dje nga policia greke në Portin e Pireut në bashkëpunimin edhe me DEA-n amerikane.

Një sasi prej 210 kg kokainë u sekuestruar brenda një konteineri me karkaleca deti të ngrirë. Konteineri ishte nisur nga porti i Guajakilit në Ekuador dhe destinacion final kishte Shqipërinë.

Katër persona, 2 shqiptarë dhe 2 grekë, u arrestuan gjatë aksionit policor.

KALI I TROJËS

Por si arriti policia greke të godiste këtë rrjet?

Sipas të përditshme greke “Kathimerini”, policia aplikoi skemën e njohur si “Kali i Trojës”, të përdorur nga grekët e lashtë gjatë luftës së Trojës.

Policia greke, përmes një agjenti të infiltruar, kishte arritur të depërtonte në radhët e shpërndarësve të drogës.

Agjenti i infiltruar i bindi ata se kishte aftësinë që kokainën ta nxirrte nga konteineri që ndodhej në Portin e Pireut dhe ta çonte në një vend të sigurt ku më pas mund ta merrnin anëtarët e tjerë të organizatës.

Dhe pikërisht kjo skemë u aplikua. Personi i infiltruar kishte arritur ta nxirrte kokainë nga konteineri.

Mëngjesin e 22 Majit, ai i çoi 4 të arrestuarit në një lokal në Pire me pretendimin se aty kishte fshehur drogën dhe mund ta merrnin.

Por me të mbërritur në lokal, anëtarët e rrjetit të drogës panë jo vetëm pakot e kokainës, por edhe një numër të madh agjentësh policie. Ata u arrestuan, ndërsa ju sekuestruan edhe një shumë parash cash prej 131,675 Euro.

Kokaina ishte e ndarë në 180, ndërsa disa orë më vonë policia greke njoftoi se kishte gjetur edhe 100 kg të tjera në një konteiner tjetër përpos sasisë prej 210 kg.

Sa i përket shtetasve shqiptarë të arrestuar, ata janë identifikuar si Andrea Mërkuri 48 vjeç dhe Marsel Stafaj, 36 vjeç. 48-vjeçari, që konsiderohet edhe si një nga kokat kryesore të grupit kriminal që kryente trafikun transnacional të drogës, nuk është një emër i panjohur për policinë greke. Ai ishte në kërkim pasi ishte dënuar me 20 vite burg për pjesëmarrje në një grup qe merrej me prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.

/tvklan.al