Një sasi prej 210 kilogramë kokaine është kapur nga policia greke në portin e Pireut. Droga ishte e ndarë në 180 pako najloni të fshehura brenda një kontejneri me karkalecë të ngrirë që vinte nga Amerika Latine.
Sipas mediave greke, destinacion i drogës ishte Shqipëria, prej nga do të shpërndahej më pas në Europën Qendrore dhe atë Veriore, por një gjë e tillë nuk konfirmohet nga policia greke në njoftimin e saj zyrtar. Gjatë operacionit, autoritetet greke arrestuan 4 persona, nga të cilët 2 grekë dhe 2 shqiptarë.

Sa i përket shtetasve shqiptarë, ata janë identifikuar si Andrea Mërkuri 48 vjeç dhe Marsel Stafaj, 36 vjeç. 48-vjeçari, që konsiderohet edhe si një nga kokat kryesore të grupit kriminal që kryente trafikun transnacional të drogës, nuk është një emër i panjohur për policinë greke.

Ai ishte në kërkim pasi ishte dënuar me 20 vite burg për pjesëmarrje në një grup qe merrej me prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike. Për zbërthimin e organizatës kriminale autoritetet greke bashkëpunuan edhe me zyrën e DEA-s, ndërsa operacionit i parapriu një hetim disa mujor.

Tv Klan