Pas 2 muajsh hetime, policia ka vënë në pranga 2 gra për shfrytëzimin e një të miture (16 vjeç) për prostitucion. Siç shihet në pamjet e bëra publike, ato janë vënë në pranga në një lokal në Sarandë.
“Vihen në pranga 2 shtetase që shfrytëzonin një shtetase të mitur, për prostitucion. Sekuestrohet një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme. Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, gjatë 2 muajve, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, u finalizua operacioni policor i koduar “Silent Ëatch”. Gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga shtetaset: S. O., 42 vjeçe dhe L. D., 39 vjeçe, të dyja banuese në Sarandë”, thotë Policia.
Gjatë kontrolleve në dy lokale të marra me qira prej tyre, në lagjet nr. 3 dhe nr. 4, në Sarandë, në të cilat ushtrohej prostitucioni, u gjet një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
/tvklan.al