Një 32 vjeçar është arrestuar në Berat, pasi shfrytëzonte si prostitutë një 36 vjeçare. Sipas Policisë, ai rezulton i dënuar më parë për shfrytëzim të së njëjtës shtetase në vend dhe Greqi. Në pranga është vënë edhe 36 vjeçarja.
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Precedenti”. Operacioni, rezultat i një hetimi disajavor, me metoda proaktive, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Prokurorinë e Beratit. Arrestohet një 32-vjeçar që shfrytëzonte një 36-vjeçare, për prostitucion në Berat dhe në Lushnjë. Në pranga dhe shtetasja që ushtronte prostitucion. 32-vjeçari, i dënuar më parë, për shfrytëzimin e të njëjtës shtetase, për prostitucion në Shqipëri dhe në Greqi.
Në kuadër të operacionit “Precedenti”, si dhe në zbatim të masës së sigurisë “Arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Beratit, përkatësisht për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit “ dhe “Prostitucioni”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. K., 32 vjeç, banues në Berat, gjithashtu në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Memaliaj u kap dhe ndalua shtetasja A. H., 36-vjeçe, banuese në Memaliaj, Tepelenë, për veprën penale “Prostitucioni”. 32-vjeçari akuzohet se ka shfrytëzuar për prostitucion në Berat dhe në Lushnjë, shtetasen A. H”, thuhet në njoftimin zyrtar të bluve.
/tvklan.al