Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu thotë se projektligji për abortin te adoleshentet do të kalojë në konsultim publik.
Në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Koçiu ftoi të gjithë ekspertët të kontribuojnë për rregullimet në këtë ligj.
“Do t’i nënshtrohet konsultimit publik dhe ftojmë gjithë grupet e interesit, gjithë ekspertët, që nëse kanë sugjerime për të kontribuuar në rregulloren e këtij sektori, janë të ftuar ta bëjnë në tryezat konsultuese për të sjellë një kuadër rregullator”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë.
Projektligji për abortin i hap rrugë lejimit të abortit edhe tek të miturat e grupmoshës 16-vjeçare. Adoleshentet mund të abortojnë edhe pa dijeninë e prindërve. Nismëtarët e argumentojnë këtë fakt me mundësinë që e mitura mund të përjetojë dhunë në familje nëse merret vesh që është shtatzënë.
/tvklan.al