Nga Kroacia ku u shfaq në krah të homologut Zoran Milanovic presidentja kosovare, Vjosa Osmani iu rikthye incidentit që i ndodhi disa ditë më parë në aeroportin e Shkupit.
Ajo ka vlerësuar se është për keqardhje mënyra se si u trajtua ky incident në konferencën për media të kryeministrit Albin Kurti me homologun e tij maqedonas Hristijan Mickoski. Sipas Osmanit ato deklarata i kanë kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Kosovës.
Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës: Mënyra se si u trajtua incidenti në Shkup gjatë konferencës për media, është për keqardhje, sepse i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës. Ajo që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit ka qenë shkelje e qartë e rregullave ndërkombëtare të njohura dhe aplikuara botërisht, prandaj Presidenca pret të njoftohet për masat e ndërmarra lidhur me këto shkelje, ashtu siç është potencuar edhe në notën e protestës të drejtuar nga Republika e Kosovës.
Osmani thekson se institucionet e Maqedonisë së Veriut nuk i kanë trajtuar çështjet e ngritura në notën e protestës së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, në të cilën u kërkuan sqarime sa më të shpejta dhe të plota për incidentin në Aeroportin e Shkupit.
Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës: Përderisa e vlerësojmë shprehjen e keqardhjes nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, për fat të keq deri tani në asnjë moment institucionet e Maqedonisë së Veriut nuk i kanë trajtuar çështjet e ngritura në notën e protestës që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtës ndërkombëtare zakonore në raport me Republikën e Kosovës, por përkundrazi, hapur e pa asnjë hezitim e kanë pranuar një shkelje të tillë. Për këtë as nuk duhen raporte e hetime shtesë për ndonjë gjendje faktike, sepse ato janë komplet jorelevante para pranimit publik te institucioneve të Maqedonisë së Veriut se një rregull i tillë është imponuar qëllimshëm, pavarësisht kërkesave të qarta të së drejtës ndërkombëtare.
Osmani pretendon se në kundërshtim me rregullat iu kërkua nga policia kufitare maqedonase ne aeroportin e Shkupit që të skanohej telefoni i saj. Autoritetet maqedonase u arsyetuan se procedurat e ndjekura janë standarde dhe se të njëjtat aplikohen ndaj të gjithë udhëtarëve, përfshirë edhe atyre që përdorin zonën VIP. Ndërkaq policia e Maqedonisë së Veriut ka nisur hetimet ndaj shefit të sigurimit të kreut të Parlamentit maqedonas Afrim Gashi.
Ai është pezulluar nga puna, pasi ndaj tij rëndojnë akuzat për cenim të sigurisë dhe pengim i zyrtarëve. Së bashku me dy policë të tjerë, shoqëruesi i Gashit ka kërcënuar me jetë punonjësit e aeroportit të Shkupit, duke iu kërkuar policëve maqedonas ta dërgonin presidenten me makinë deri tek avioni që nisej për në Ljubljanë.
Klan News