Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu është 56 vjeç dhe ka një karrierë 33-vjeçare si profesor i Fakultetit Juridik. Sejdiu ka qenë gjithmonë i përfshirë në politikë, por jo gjithmonë si protagonist. Sejdiu duket mëse i ndërgjegjshëm për misionin e tij. Fati ka sjellë që juristi të jetë në krye të popullit të tij në një moment më shumë se sa historik për të.
Dy muaj më vonë pritet që Presidenti Sejdiu të vendosë firmën e tij mbi aktin e pavarësisë që Parlamenti i Kosovës mund të shpallë tashmë, duke e shndërruar ëndrrën shekullore të kosovarëve në realitet. I qetë, pothuajse pa asnjë lloj ekspresioni, ai përgjigjet në një intervistë për Blendi Fevziun, duke i qëndruar strikt të gjitha kornizave që koha i ka vendosur politikisht. Nuk shkon kurrë më tej se duhet dhe as nuk shqipton asgjë më shumë se ajo që përsërit prej 2 vitesh, pothuajse përditë. Ai e njeh momentin delikat, por po kaq sa momenti, ky është edhe stili i tij.
Karriera e Sejdiut ka qenë e tillë, ka lindur më 23 Tetor në vitin 1951, në Pakeshticë të komunës së podujevës, shkollimin fillor dhe të mesëm e ka mbaruar në podujevë dhe më pas ka vijuar studimet në fakultetin e drejtësisë në Universitetin e Prishtinës. Më 1974, në vitin e shpalljes së autonomisë së Kosovës ka mbaruar edhe studimet pasuniversitare dhe ka mbrojtur edhe dezertacionin e doktoratës.
Që nga kjo kohë, për 33 vjet me radhë, ka qenë profesor në fakultetin juridik dhe atë të shkencave politike në Universitetin e Prishtinës. Është specializuar në Francë në Universitetin Paris 2 në vitin 1984 dhe në SHBA, në Arizona State University disa vjet më vonë. Ka publikuar punime shkencore nga fusha juridike, historike dhe juridike, kushtetuese dhe libra të vecantë nga këto fusha, por më shumë sesa mësimdhënia, politika do të ishte një dimension i rëndësishëm i jetës së tij.
Më 23 Dhjetor të vitit 1989 Fatmir Sejdiu u bë pjesëmarrës i Kuvendit Themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në kuvendin e parë zgjedhor në vitin 1991, është zgjedhur anëtar i Këshillit të përgjithshëm dhe në vitin 1992, anëtar i kryesisë së LDK-së, ndërsa në vitin 1994, sekretar i përgjithshëm i saj. Ka qenë anëtar i Koisionit qendror për organizimin e referendumit për pavarësinë e Kosovës në vitin 1991. Karriera e tij ka qenë e importuar mirë, është zgjedhur deputet në Kuvendin e Republikës së Kosvoës në vitin 1992, dhe në 1998.
Në vitin 1998 ka qenë sekretar i përgjithshëm i kuvendit dhe kryetar i komisionit për cështjet kushtetuese. Më 2001, në zgjedhjet e para demokratike të pasluftës, është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit, poste që i ka rifituar sërish në vitin 2004. Karriera e tij do të kulmone më 10 shkurt të vitit 2006, kur pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, themeluesit të LDK-së dhe liderit të lëvizjes paqësore të shqiptarëve të Kosovës, Fatmir Sejdiu u zgjodh Presidenti i Kosovës më dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit.
Që nga dita që është ngjitur në krye të presidencës së Kosovës më 10 shkurt të vitit 2006, Fatmir Sejdiu, shefi i dytë i shtetit kosovar, e ka ditur shumë mirë dicka. Presidenca reale kosovare fillon me të, ajo e para, e Rugovës, më shumë se sa një post administrativ, i takon liderit të një populli, njeriut që besoi një ëndërr dhe pas pothuajse 17 vitesh, në ditët e fundit të jetës së tij, ai e coi fare pranë realitetit, thuajse e preku atë. Sejdiu e di mirë, se më shumë se një ish-president, Rugova është një mit, dhe të zëvendësosh një mit është thuajse e pamundur.
Ndaj, miti dhe presidenti aktual qëndrojnë bashkë, në po atë zyrë të vjetër në sheshin Nënë Tereza, bashkë me parlamentin, dy institucione që pritet të ngjallin ëndrrën shekullore të kosovarëve, pavarësinë.
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ishte i ftuar në emisionin “Opinion Plus”, nga ku foli për komplikimin e çështjes së statusit të Kosovës.
“Çështja e Kosovës është e pjekur për vendimarrje. Kosova është e gatshme të startojë, edhe në kuptimin e njohjes ndërkombëtare, të funksionojë si shtet në kuadrin e familjeve të vendeve të lira. Unë mendoj që ka qenë rezultat i drejtpërdrejtë i asaj që ndodhi në Këshillin e Sigurimit gjatë muajve të verës. E dinin kërcënimin që dha federata ruse përmes përfaqësuesve të saj të përhershëm në Këshillin e Sigurimit. Unë mendoj që çështja e Kosovës nuk është çështje themelore për Rusinë”./tvklan.al