Presidenti amerikan Donald Trump mbajti të shtunën pasdite në Shtëpinë e Bardhë aktivitetin e parë me të ftuar që kur rezultoi pozitiv për koronavirusin.
Presidenti foli nga ballkoni i Shtëpisë së Bardhë në një aktivitet të quajtur ‘protestë paqësore për rendin dhe ligjin’, ku morën pjesë disa qindra njerëz, të cilët qëndronin në lëndinën poshtë tij.
Presidenti fillimisht kishte në fytyrë një maskë, por e hoqi para se të fliste. Ai u prit me entuziazëm nga mbështetësit e tij.
Dalja e tij shihet si një hap i parë drejt rifillimit të fushatës së plotë javën e ardhshme.
Pjesëmarrësit mbanin maska dhe kishin veshur uniforma blu si dhe kapele të kuqe me mbishkrimin “Make America Great Again” (“Ta bëjmë Amerikën përsëri madhështore”).
Presidenti Trump, i cili ka bërë fushatë me temën për rendin dhe ligjin në disa muajt e fundit, kur ka patur disa herë protesta të dhunshme për drejtësi racore, u tha pjesëmarrësve të shtunën se Partia Republikane ka mbështetjen e forcave policore të Amerikës.
Ende ka pikëpyetje nëse Presidenti Trump, i cili njoftoi më 2 tetor se kishte virusin dhe kaloi tre net në një spital ushtarak, mund ta transmetojë virusin. Ai i tha televizionit Fox News se kishte të ngjarë të testohej të premten.
Mjeku i Shtëpisë së Bardhë Sean Conley tha në një njoftim të enjten se, “bazuar në trajektoren e një diagnostikimi të specializuar që ka kryer ekipi”, ai “parashikon plotësisht kthimin e sigurt të Presidentit në angazhimet publike” që nga e shtuna.
Ndërkaq, rivali i tij demokrat Joe Biden testoi negativ për COVID-19 të shtunën para një udhëtimi fushate në Pensilvani, thanë ndihmësit e tij në një deklaratë.
Ndihmësit e Presidentit Trump thanë të premten se ai do të flasë në një aktivitet fushate në Florida të hënën, i pari jashtë Uashingtonit, që kur u diagnostikua me koronavirus javën e kaluar. Presidenti e konfirmoi këtë në Twitter. /VOA