Skënderbeu prezantoi këtë të martë trajnerin e ri, Ernest Gjoka, i cili do të pasojë në stol të larguarin Ivan Gvozdenovic.

Në prezantimin e teknikut të ri, mori pjesë edhe presidenti i klubit korçar, Ardjan Takaj. Numri 1 i klubit, falënderoi Gvozdenovicin, duke thënë se rrugët mund të takohen sërish.

Sipas tij, ka besim se Gjoka do të rikthejë ekipin te sukseset, ndërsa shtoi se Skënderbeu ka pretendime reale në Superligë dhe nuk janë vetëm për të marrë pjesë.

“Dua të falënderoj për punën 2-vjeçare për Ivan Gvozdenovic. Ka bërë një punë të mirë, por rezultatet vendosin punën. Rrugët tona u ndanë, por nuk besoj se janë ndarë për gjithmonë. Mund të kemi edhe ndonjë takim tjetër. Sot prezantojmë Gjokën. Ky është vendimi i klubit. Kemi një kontratë për një vit e gjysmë. Gjoka ka një përvojë shumë të madhe në Superligë dhe jashtë Shqipërisë. Me profesionalizimin e tij, besojmë se do na ndihmojë ne, por edhe veten e tij.

Unë nuk heq dorë nga pretendimet. Nuk jemi në Superligë vetëm për të marrë pjesë. E kemi skuadrën, i dimë cilësitë që kemi. Pretendimet nuk i kemi të kota dhe në ajër, i kemi pretendime reale”, deklaroi Takaj.

Në fjalën e tij, trajneri Gjoka, u shfaq entuziast për këtë aventurë të re, duke thënë se propozimi nga Takaj dhe Skënderbeu, nuk mund të refuzohen. Trajneri kryeqytetas, u shpreh se ka besim se skuadra do e kalojë momentin e vështirë.

“Puna jonë vlerësohet në ditë të vështira. Ishte e lehtë për të pranuar. Kur të vjen një propozim nga Skënderbeu dhe Takaj, nuk refuzon dot. Kam ardhur me dëshirë të madhe. Skënderbeu është në situatë të vështirë, mendoj se mund të ishte më lartë. Mendoj se këto janë vështirësitë e një trajneri.

Të gjithë trajnerët kërkojnë kontrata afatgjata. Nëse nuk besoja të rikthimi i rezultateve pozitive, nuk do të kisha ardhur në Korçë. Skuadrën e kam studiuar. Ekipi ka cilësi. Na duhet ndihma e të gjithëve që të ringremë skuadrën”, u shpreh Gjoka.

Skënderbeu dhe trajneri Ernest Gjoka, kanë firmosur kontratë për një vit e gjysmë, ndërsa debutimi do të jetë ditën e enjte ndaj Tiranës. /tvklan.al