Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian vendosi që të shtyjë për në muajin Qershor miratimin e progres-raportit për Shqipërinë, i hartuar nga raporteri Andreas Schieder.

“Shqipëria do të mbajë zgjedhjet parlamentare më 11 Maj. Ne do të monitorojmë nga afër zhvillimin e këtyre zgjedhjeve. Për këtë do të ndihmojë edhe zyra qe Parlamenti Evropian po hap në Tiranë. Kjo është arsyeja se pse ne do ta votojmë raportin për këtë vend në muajin Qershor për të pasqyruar ecurinë e këtyre zgjedhjeve”, u shpreh nënkryetarja e Komisionit të Jashtëm, Hana Jalloul Muro.

Eurodeputetët kanë vlerësuar reformat sidomos në drejtësi dhe punën e SPAK në ndëshkimin e korrupsionit politik.

“Ne e përkrahim Shqipërinë si shtet pararojë në procesin e integrimit duke nënvizuar se zbatimi i reformave në praktike ka vlerë më thelbësore sesa thjesht ndryshimi i ligjeve. Në mënyrë të veçantë në luftën ndaj korrupsionit ata kanë bërë shumë hapa përpara dhe në këtë fushë ata janë vërtetë shtet pararojë në Ballkanin Perëndimor. Ne vlerësojmë rolin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Shqipërisë (SPAK) në ndërtimin e një historie të hetimit, ndjekjes penale dhe dënimit në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë”, tha raportuesi Andreas Schieder.

“Unë planifikoj që të paraqes një amendament për të vlerësuar punën e SPAK në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta politike. Në veçanti ne po vëzhgojmë nga afër rastin e kryebashkiakut të Tiranës”, tha Andrey Kovatchev.   

Mbështetje e qartë u shpreh dhe nga Komisioni dhe Këshilli Evropian.

“Shqipëria po ecën drejt anëtarësimit të plotë në BE me një shpejtësi të paparë. Dy grup kapituj janë hapur tashmë, ndërkohë që ne do të hapim së shpejti edhe dy grup kapituj të tjerë. Ne besojmë se të gjithë grup kapitujt do të mund të hapen para përfundimit të sezonit veror. Zgjedhjet parlamentare po afrojnë duke përfshirë për herë të parë votimin e shtetasve shqiptarë jashtë vendit. Ashtu siç theksoi komisionerja Kos në Tiranë është me rëndësi që të vijojë dialogu ndërpartiak dhe gjithëpërfshirës për reformat e integrimit. SPAK po luan një rol kyç dhe të rëndësishem në arritjet pjesë e luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha shefja e departamentit për Shqipërinë në KE, Sigrid Brettel.

 “Ashtu si edhe Komisioni Evropian ne mbështesim ambicien e Shqipërisë për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027. Ky vend duhet të fokusohet në reformat që kanë të bëjnë me kapitujt 23-24 që kanë të bëjnë me shtetin ligjor për të thelluar luftën e nisur ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shqipëria ka bërë një zgjidhje strategjike duke e njehsuar plotësisht politikën e jashtme me atë të BE-së”, tha drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në BE Zuzana Michalcova.

Gjatë diskutimeve eurodeputetët këmbëngulën në nevojën për të adresuar dhe zbatuar rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisioni i Venecias.

Ata paralajmëruan politikanët që shprehen kundër cënimit të punës së institucioneve të pavarura si SPAK. Bënë thirrje për emërimin e prokurorëve shtesë në Prokurorinë Speciale si dhe ngritjen e një njësie të hetimit financiar.

Klan News