Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria në progres-raportin e hartuar ku theksohet çelja e grup-kapitujve të parë të negociatave me Bashkimin Europian. Por në raportin e prezantuar nga eurodeputeti Andreas Schieder vihen ne dukje edhe detyrat për Tiranën.
“Shqipëria është një partner i besueshëm në politikën e jashtme, por megjithatë ka sfida që mbeten. Ka një polarizim të lartë të politikës. Duhet një forcim i sundimit të ligjit dhe një konsolidim i reformave kundër korrupsionit. Për reformën elektorale duhet të impelmentohen rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe të Komisionit të Venecias. Më shumë progres duhet bërë në pavarësinë e medias”, shprehet eurodeputeti Andreas Schieder.
Një fokus të veçantë zë vijimi i reformës në drejtësi dhe punës së SPAK.
“Një proges i mirë është bërë në impelmentimin e reformës në drejtësi duke përfshirë procesin e vetingut që ishte një nga më të mëdhenjtë në rajonin e Ballkanit dhe në rritjen SPAK që është njësi kundër korrupsionit. E rëndësishme është që të mos minohet puna e institucioneve të drejtësisë siç është edhe SPAK”.
Edhe përfaqësuesi i PPE në këtë komision tha se është e rëndësishme që SPAK të vijojë punën për goditjen e korrupsionit në nivele të larta.
“Përshëndes zhvillimet e fundit në Shqipëri për hapjen e dy grupkapitujve të parë. Janë hapa të rëndësishëm dhe qeveria shqiptare duhet të vijojë me reformat e që lidhen me BE dhe çështjet e brendshme që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut. Gjithashtu planifikoj të shtroj një amendament për të njohur punën e SPAK në luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta dhe në veçanti ne po vëzhgojmë rastin e kryebashkiakut të Tiranës”, u shpreh eurodeputeti Andrey Kovatchev.
Për Kovatchev një rëndësi të veçantë kanë edhe zgjedhjet e 11 Majit.
“Është e rëndësishme që zgjedhjet e 11 Majit të jenë të lira, të drejta dhe transparente”, thotë Kovatchev.
Eurodeputetët vunë në dukje se Shqipëria ende përballet me një sërë sfidash, si tejkalimi i polarizimit të brendshëm politik, ndërkohë që kërkuan forcimin e dialogut politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës.
Tv Klan