Dalja e Britanisë së Madhe nga programi Erasmus është pjesë e marrëveshjes së tregtisë me BE. Kryeministrit Johnson kjo thjesht iu duk shumë e shtrenjtë. Në të ardhmen ai do të mbështesë vetëm studentët e tij.
Një përvojë jashtë vendit duket mirë në çdo biografi. Ndihmon në zgjerimin e horizontit vetjak dhe është një përvojë e vlefshme për shumë të rinj. Amelie Bauer aktualisht po e përjeton këtë; mynihaseja po studion për drejtësi në University College London (UCL).
Ajo e vlerëson shumë pozitivisht qëndrimin e saj jashtë vendit. “Mendoj se ekziston një mënyrë shumë e ndryshme për t’u bërë e pavarur”, thotë ajo. Ti gjithashtu e percepton një kulturë të re në një mënyrë krejtësisht të ndryshme sepse me të vërtetë bëhesh pjesë e saj dhe nuk je thjesht për vizitë.
Bëhet fjalë për paratë
Programi Erasmus ka bërë të mundur që shumë studentë të studiojnë në Britaninë e Madhe për deri në dymbëdhjetë muaj, por qeveria e Britanisë së Madhe tani po tërhiqet prej tij. Uta Staiger, drejtore menaxhuese e Institutit Evropian në University College London UCL, e kishte pritur këtë. “Qeveria e Britanisë së Madhe nuk ka treguar interes të veçantë për të shpenzuar një kapital të madh për të,” thotë ajo.
Në fakt, bëhet fjalë për para, kryeministri Boris Johnson e pranoi këtë në prag të Krishtlindjes kur njoftoi se ishte arritur një marrëveshje me BE: “Britania e Madhe është një kontribues i madh neto në sektorin e arsimit të kontinentit, sepse kemi pasur dekadat e fundit shumë qytetarë të BE këtu “. Kjo kishte qenë e mrekullueshme, por financiarisht britanikët qenë ndarë. “Erasmus gjithashtu ishte shumë i shtrenjtë,” tha kryeministri.
Johnson dëshiron programin e tij
Për studentët e BE-së, programi ishte një fitore e vërtetë sepse në Britaninë e Madhe – ndryshe nga në Gjermani – për shkollimin duhet të paguash taksa. Studentët e Erasmusit nuk ishin pjesë e këtyre tarifave. Nga ana tjetër, për universitetet britanike, kjo nuk ishte aq e dobishme, pranon edhe Staiger, sepse një vend studimi kushton më shumë sesa mbulohej financiarisht nga programi.
Pavarësisht nga kjo, ekzistonte një çekuilibër i madh në numrin e studentëve. Në të kaluarën, Erasmus ka sjellë pothuajse dy herë më shumë studentë në Britaninë e Madhe në vit, sesa kanë shkuar studentë britanikë në vendet e tjera të Evropës. Prandaj, qeveria britanike dëshiron tani të hartojë programin e saj, i cili do të marrë emrin e matematikanit britanik dhe pionierit të kompjuterit Alan Turing.
Kryeministri Johnson njoftoi se me të jo vetëm që do të lejonte studentët britanikë të ndiqnin universitetet evropiane, por edhe më të mirat në botë. “Ne duam që të rinjtë tanë të përjetojnë stimulin e pamasë intelektual në Evropë, por edhe në botë.”
Shpresë për bashkëpunim
Qeveria britanike ka në plan të sigurojë më shumë se 100 milionë paund për programin Turing në vitin e ardhshëm. Kjo do të lejojë deri në 35.000 studentë të studiojnë jashtë vendit nga shtatori. Sipas raporteve të medias, megjithatë, programi nuk ka për qëllim të sigurojë fonde për studentët që vijnë në Britaninë e Madhe.
A janë të gjitha përparësitë e programit Erasmus tani pjesë e së kaluarës për studentët e BE-së? Jo krejt, shpjegon Staiger: “Ekziston një ndryshim midis programit Erasmus si strukturë administrative dhe parave që vihen në dispozicion”. UCL dhe shumë universitete të tjera kanë akoma fonde Erasmus deri në maj të vitit 2022. “Pas kësaj, kjo duhet të zgjidhet në formë dypalëshe me universitetet”, thotë drejtori.
Pra, ekziston – nëse duam ta quajmë kështu – një fazë tranzicioni për studentët e BE. “Tashmë mund të ndjesh Brexit”, thotë studentja Amelie. Ajo ka ndjenjën se Britania e Madhe po largohet nga BE./DW