Një numër në rritje turistësh britanikë po vërshojnë drejt Shqipërisë falë çmimeve të lira, maleve dhe plazheve mahnitëse, shkruan e përditshmja britanike “Express”. Shqipëria një vend i bukur evropian, ku një birrë kushton vetëm 1,67 paund, po përjeton një rritje të turizmit.
Më shumë britanikë se kurrë më parë po vizitojnë Shqipërinë falë plazheve të saj të bukura përgjatë deteve Jon dhe Adriatik, që konkurrojnë lehtësisht brigjet e një prej fqinjëve të saj, Greqisë.
Pothuajse tre e katërta e territorit të Shqipërisë është malore, duke ofruar pamje mahnitëse për pushuesit, duke u krahasuar me malet e Zvicrës, Austrisë dhe Francës. Artikulli i ka kushtuar vëmendje qytetit bregdetar të Vlorës, duke e përshkruar si një nga qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë, të cilin e ‘përqafojnë’ kodra dhe male.
E njohur për shëtitoren e saj të gjatë me palma përgjatë bregdetit, Vlora ka ujërat më të pastra në Evropë. Në artikull shkruhet edhe për çmimet e përballueshme dhe ushqimin e shijshëm.
Një vakt në darkë rrallë kushton më shumë se 10 deri në 15 Paund për person në restorante. Në baret kryesore të Vlorës, birra kushton vetëm 2 Paund, ndërsa pijet alkoolike dhe koktejet janë rreth 4 Paund.
Ndryshe nga disa vende të tjera evropiane, populli shqiptar njihet për mikpritjen ndaj turistëve. Turistët që duan të zhyten në historinë e vendit ballkanik mund të akomodohen në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, ku mund të gjenden dhe apartamente të lira me qira ditore. Ndërsa, hotelet me tre yje në Tiranë kushtojnë mesatarisht 42 Paund në natë.
E përditshmja britanike shkruan se Shqipëria e ka gjetur rrugën e saj në hartën turistike, dhe se më shumë se 120 000 shtetas britanikë vizitojnë vendin ballkanik çdo vit. Përgjatë 12 muajve të vitit 2024, Shqipëria u vizitua nga 11,7 milionë turistë të huaj, duke shënuar një rritje prej 15% nga viti 2023.
Klan News