Kryedemokrati Sali Berisha shprehet i shqetësuar për gjendjen aktuale të ekonomisë shqiptare. Në një konferencë për mediat, Berisha rendit arsyet pse rritja ekonomike e vendit nuk pasqyron përmirësimin e gjendjes së qytetarëve.

Sali Berisha: Sot jam para jush për të shprehur shqetësimin tim më të thellë për gjendjen aktuale të ekonomisë shqiptare. Rrogat minimale dhe mesatare mbeten më të ulëtat në rajon, ndërkohë që në vitin 2013 këto ishin rrogat më të larta në rajon. Ato që kanë pësuar rritje stratosferike dhe janë më të lartat në rajon, janë rrogat më të larta. Pra, rritja ekonomike nuk ka një pasqyrim. Rritja ekonomike nuk ka asnjë pasqyrim në jetën e 66 mijë familjeve në ndihmë ekonomike. Ajo mbetet krejtësisht e huaj, pothuaj inekzistente për 40 përqind të popullatës në fshat, e cila merr si subvencion në buxhetin më të madh në histori prej 8.2 miliardë eurosh, gjithsej 40 milionë euro.Rritja ekonomike nuk është pasqyruar në detyrimet e shtetit ndaj qytetarëve të vet, ish-të përndjekurve politikë dhe pronarëve legjitimë të konfiskuar nga regjimi komunist.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha ka shpalosur programin për biznesin teksa ka thënë se do të përgjysmojnë taksat, do hapin ekonominë dhe do të garantojnë garë të ndershme.

Sali Berisha: Shqetësimi ynë i dytë shumë i madh është gjendja e biznesit në Shqipëri, në të cilën dora e zezë e qeverisë ndërhyn në mënyrë të egër. Shqipëria është i vetmi vend në planet në të cilin gjatë 11 vite, sistemi ligjor tatimor ka pësuar 60 ndryshime, gjë që hedh në erë çdo siguri juridike për investitorët në Shqipëri. Shtojmë këtu faktin se një çështje civile, për t’u gjykuar në gjykatat e reformës së Xhorxh Sorosit dhe Edi Ramës, kërkon 14 vite. Bëjnë që investitorët e huaj të kthejnë kokën dhe të mos pranojnë të investojnë të ardhurat e tyre në Shqipëri. Goditja në zemër e konkurrencës nga klientelizmi i qeverisë është një faktor madhor që e mbyt ekonominë shqiptarë dhe e bën aët të varur kryekëput nga narkoekonomia.

Rritja ekonomike është narkorritje. U detyrohet kullave, të cilat janë 4 miliardë gjer tani, investime të shëmtuara të drogës dhe korrupsionit. Në agjencitë shtetërore, 90 përqind e prokurimeve fitohen nga 2-3 kompani. Kampion për këtë është kryekorrupturja dixhitale AKSHI, apo siç e quajnë ndryshe kopshti prapa shtëpie i Edi Ramës, ku kunati i Lindës dhe baxhanaku i Ramës bëjnë kërdinë me tendera, vetë apo me kompani të tjera të lidhura. Në këtë agjenci ka arritur që gjer në 80 përqind të tenderave t’i marrë një kompani. 4-5 janë kompani që marrin tenderat e Lubi Ballukut. PD zotohet për zbatimin me rreptësi të ligjeve të konkurrencës dhe garanton garë të ndershme për bizneset shqiptare.

Ajo zotohet të hapë ekonomike mbi bazën e rregullave të forta, ligjeve të zbatuara për biznesin ndërkombëtar. Zotohet pra të garantojë lirinë ekonomike, vizioni ynë është gara e ndershme, është shteti ligjor. Po vizioni ynë janë taksat e ulëta. Edhe njëherë, ne garantojmë biznesin se përgjysmimi i taksave mbetet shtyllë kryesore e programit tonë. Roli i qeverisë do jetë i kufizuar dhe vetëm i kufizuar në mënyrë që sipërmarrësit të gëzojnë lirinë që meritojnë për suksesin e bizneseve të tyre. Një nxitje të veçantë do ketë inovacioni, sipërmarrja, start-upet, kreditë e buta për të rinjtë, pra qeveria do bëjë gjithçka të favorizojë dhe mbështesë biznesin.

Një fond i fuqishëm do garantojë eksportet e shqiptarëve. Vetëm një ekonomi që eksporton është një ekonomi që bazohet mbi prodhimin. Shqipëria është një nga vendet me pasuritë më të mëdha, me një potencial të madh eksporti, por edhe prodhimi të brendshëm industrial. Ndaj dhe ne në programin tonë, duke përcaktuar si shtyllë kryesore të këtij programi ekonominë, zotohemi që në një periudhë të shpejtë, së pari të shndërrojmë rritjen ekonomike në mirëqenie, përmirësim të buxhetit të qytetarëve shqiptarë dhe së dyti, me një klimë miqësore ndaj biznesit të nxisim gjithnjë e më shumë suksesin, të mbështesim suksesin e tij.

/tvklan.al