Vijimi i konsolidimit fiskal me qëllim uljen e borxhit publik është prioritet i qeverisë në librin e financave për 2025-ën.
Nga Konferenca e Kryetarëve, ku prezantoi projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, ministri i Financave tha se pritshmëritë e qeverisë janë për uljen e defiçitit dhe rritjen ekonomike.
“Për 2025 buxheti do të bazohet në objektivat e politikës fiskale duke ulur defiçitin dhe të ruajë bilancin për të ulur borxhin dhe sipas pritshmërive tona do të jetë nën nivelin 56% të GDP. Parashikojmë një rritje ekonomike me 3.5% me një konvergjencë në 3.9%”.
Qeveria ka planifikuar 822 miliardë Lekë në buxhet, ndërkohë që flet për tregues pozitiv në rritje për të ardhurat, që sipas kreut të financave parashikohen me rreth 40.6 miliardë Lekë më shumë.
“Projektbuxheti tejkalon shifrën e 8 miliardë Eurove të planifikuara”.
Malaj foli për risqe të balancuara dhe një perspektivë inkurajuese afatmesme të financave shqiptare, bazuar në vlerësimet e fundit të bëra në raportet e agjencisë së vlerësimit të kreditit “Standard and Poors dhe Moody’s.
Të ardhurat kapin vlerën e 754 miliardë Lekëve, ndërkohë që projeksionet sipas ministrit Malaj flasin për parashikime edhe më pozitive, për shkak të parave që qeveria synon të mbledhë nga tatimet dhe kontributet e sigurimeve shoqërore.
Krahasuar me buxhetin aktual, qeveria ka vendosur të ndajë më shumë para edhe për investimet infrastrukturore, të cilësuara me rëndësi strategjike.
Libri i financave nuk parashikon rritje të pensioneve por vetëm indeksim të tyre në vlerën e 1.6 miliardë Lekëve, ndërkohë që do mbështesë rritjen e pagave.
Pas prezantimit të draftit në Konferencën e Kryetarëve, i hapet rruga diskutimeve në komisionet parlamentare.
Tv Klan