Pamjet e rrënojave të Gazës të cilën presidenti amerikan Donald Trump do ta kthejë në “Rivierën e Lindjes së Mesme”. Por si në Gaza e në mbarë botën, plani i presidentit amerikan u refuzua e u quajt çmenduri. Këtu në Khan Younis palestinezët që jetojnë mes rrënojave të shtëpive të tyre zotohen të mos e braktisin kurrë tokën e tyre.
“Qëndrojmë të palëkundur në tokën tonë këtu. Kush dëshiron të rindërtojë nuk duhet të na dëbojë me pretekstin e rindërtimit”, tha palestinezi Ahmed Shahin. Propozimi për shpërnguljen e palestinezëve u dënua në mbarë botën, përfshirë nga fuqi si Rusia, Kina dhe Gjermania. Fuqia rajonale, Arabia Saudite e hodhi gjithashtu poshtë plotësisht propozimin.
“Të gjithë e duan planin tim,” u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale të mërkurën, duke iu referuar idesë për Gazën. Deklaratat u bënë gjatë vizitës në Shtëpinë e Bardhë të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili u takua të mërkurën edhe me zëvendës presidentin JD Vance.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio i zbuti qëndrimet. Ai tha se presidenti ofroi gatishmërinë e ShBA-së për të pastruar rrënojat dhe municionet e pashpërthyera, duke mënjanuar pjesën për shpërnguljen e popullsisë. Gjithashtu Shtëpia e Bardha tha se Trump nuk do të dërgojë trupa në Gaza, por theksoi se vendet e rajonit duhet të përfshihen më shumë.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres do ta paralajmërojë presidentin e SHBA-së, Donald Trump kundër spastrimit etnik të Gazës. Mbreti Abdullah i Jordanisë kundërshtoi çdo lëvizje për aneksimin e enklavës dhe shpërnguljes së palestinezëve. Egjipti gjithashtu tha se mbështet planet e rindërtimit të Gazës pas armëpushimit, por pa shpërngulur palestinezët.
Udhëheqësit botërorë kundër idesë së Trumpit mbështetën formulën e zgjidhjes me dy shtete, e cila ka qenë baza e politikës së ShBA-së në dekada. Zyrtari i lartë i Hamasit, Izzat el-Reshiq, tha se grupi “kundërshton me forcë” planet e presidentit të ShBA-së. Reshiq i kërkoi “presidentit të tërheqë këto deklarata sepse i hedhin benzinë zjarrit”. Ai gjithashtu u bëri thirrje vendeve arabe që të mbajnë një “samit urgjent arabo-islamik për të shqyrtuar deklarata të tilla”.
Arabia Saudite, një aleat kryesor i ShBA-së në Lindjen e Mesme, tha se nuk do të vendosë lidhje diplomatike me Izraelin pa krijimin e një shteti palestinez, duke kundërshtuar këtu Trumpin. Por të mërkurën, ministria e jashtme e mbretërisë tha se Arabia Saudite hedh poshtë çdo përpjekje për të larguar palestinezët nga toka e tyre dhe tha se Princi i Kurorës Mohammed bin Salman e ka pohuar këtë pozicion në “mënyrë të qartë dhe të prerë”.
Në Izrael u gëzuan ekstremistët dhe tani shtohet frika se me bekimin e Uashingtonit mund të veprohet për të aneksuar edhe Bregun e pushtuar Perëndimor.
Palestinezët druhen se me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë do të fillojë një tjetër “Nakba”, ose katastrofë, siç e quajnë ata shpërnguljen dhe shpronësimin e vitit 1948 kur u formua shteti i Izraelit.
Klan News