Ministrat e Jashtëm të demokracive kryesore perëndimore u përpoqën të shfaqnin një front të bashkuar në Kanada të enjten, pas shtatë javësh tensionesh në rritje mes vendeve aleate dhe Presidentit Donald Trump lidhur me ndryshimin e politikës së jashtme amerikane ndaj Ukrainës dhe vendosjen e tarifave.

Grupi i Shtatë kryediplomatëve nga Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara, së bashku me BE-në, u mblodhën në qytetin turistik La Malbaie, pranë Kebekut, për dy ditë takime.

Në krye të axhendës për aleatët e Uashingtonit do të jetë të informohen lidhur me bisedimet e Sekretarit të Shtetit të SHBA-së Marco Rubio të martën me zyrtarët ukrainas në Xhedah të Arabisë Saudite.

Por në prag të takimit të parë të G7 nën presidencën e radhës së Kanadasë, po vihet në pikëpyetje nëse do të bihet dakord për një deklaratë përfundimtare gjithëpërfshirëse pasi disa diplomatë të G7 kanë vënë në dyshim angazhimin e Uashingtonit në proces.

Një vendim i SHBA-së për të vendosur tarifa 25% për të gjitha importet e çelikut dhe aluminit shkaktoi kundërpërgjigjen e menjëhershme me masa reciproke nga Kanadaja dhe BE-ja.

“Nën udhëheqjen e @POTUS (Presidentit të Shteteve të Bashkuara), ne do të përdorim forume si G7 për t’iu kundërvënë kundërshtarëve tanë dhe për të qëndruar pranë aleatëve tanë. Amerika e Para!”, u shpreh Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio në platformën “X” kur mbërriti në Kanada.

/VOA