Pavarësisht se në protestën kundër mbylljes së TikTok nuk mbajti fjalim, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e dha mesazhin e tij në prononcimin për gazetarët pas mbylljes së tubimit.
Berisha u shpreh se mesazhet që dhanë të rinjtë në këtë protestë, damkosën përfundimisht Kryeministrin Edi Rama.
“Ishte një manifestim i jashtëzakonshëm, i vajzave dhe djemve të rinj kundër censurës për lirinë e fjalës dhe mendimit. I dëgjuar fjalët e tyre, fjalë që buronin nga shpirti i tyre i lirë, nga zemrat e tyre rinore. Edi Rama sot mori ndëshkimin përfundimtar, sot u damkos si një armik i egër jo vetëm i TikTok por armik i egër i lirisë, i të rinjve shqiptarë. U damkos përfundimisht si biri i të atit i cili urdhëronte varjen në litar të poetit Havzi Nela. Edi Rama sot mori ndëshkimin më të madh, më të merituar”, u shpreh Sali Berisha.
/tvklan.al