Dhjetëra qytetarë marshuan të hënën pasdite në qendër të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, duke bërë thirrje për ofrimin e sigurisë për vajzat dhe gratë, pas vrasjes së një gruaje 21-vjeçare ditë më parë në qytetin e Ferizajt.

Gruaja 21-vjeçare u vra më 12 prill brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në qytetin juglindor të vendit, Ferizaj, ndërsa u plagos edhe vëllai i saj 15-vjeçar.

Një 36-vjeçar, që besohet se është ish-bashkëshorti i viktimës, është arrestuar dhe paraburgosur nga autoritetet si i dyshuari për vrasjen.

Në marshin e organizuat nga Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist, protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime si “Siguri për vajzat dhe gratë”, “Armiku ynë është patriarkati”, “Edhe sa thirrje të humbura”.

Ata bënë thirrje për siguri për vajzat dhe gratë teksa marshuan nga Sheshi “Zahir Pajaziti” deri te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, para së cilës protestuan.

Në një njoftim për media të shtunën, Gjykata Themelore në Ferizaj tha se i dyshuari kishte bashkëjetuar më parë me viktimën, dhe se ekziston dyshim i bazuar se “me vetëdije e ka kryer vrasjen në orët e pasdites së 12 prillit”.

Arma e zjarrit është konfiskuar prej Policisë së Kosovës.

Zyrtarë të lartë shtetërorë e kanë dënuar ashpër vrasjen dhe kanë bërë thirrje për drejtësi.

Rreth 56 gra janë vrarë në Kosovë në 13 vjetët e fundit. /REL