Parlamenti miratoi me 108 vota pro ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Ndryshimet përcaktojnë afatet e reja kohore për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë çka i mundëson KQZ-së ta prodhojë dhe dërgojë në kohë fletën e votimit tek shqiptarët që do votojnë nga jashtë vendit.
Më konkretisht subjektet zgjedhore duhet ta dorëzojnë tashmë listën e kandidatëve 75 ditë para zgjedhjeve, nga 65 që ishte afati i mëparshëm.
Po ashtu me ndryshimet e miratuara me konsensus të gjitha kostot për tarifat postare për këta votues do të paguhen nga qeveria. Një tjetër ndryshim i miratuar në këtë seancë ishte edhe ai për ligjërimin e dakordësisë për të pasur numërues të partive politike për votat e emigrantëve.
Sa i takon kërkesës së opozitës për të lejuar dhe shtetasit që nuk kanë asnjë dokument biometrik shqiptar të votojnë me dokumente të huaja, u dakordësua që të shqyrtohet nga KQZ edhe pse socialistët këmbëngulën se është kërkesë absurde dhe dëmton integritetin e procesit.
Krahas Kodit Zgjedhor, mazhoranca dhe opozita duket se janë afër edhe konsensusit për të zgjedhur Besim Ndregjonin si Avokat të Popullit.
Kreu i grupit parlamentar socialist, Niko Peleshi nuk shprehu rezerva për kandidaturën e propozuar nga opozita, por kërkoi që para se të votohet në Kuvend të zhvillohet një proces konsultimi.
Tv Klan