“Zgjedhjet të mirëorganizuara, të vijojnë reformat”
Progres-raporti i Komisionit Europian rikonfirmon se Shqipëria i ka përmbushur kushtet për hapjen zyrtare të negociatave, por pengesë për konferencën e parë ndërqeveritare mbetet vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut.
Progres-raporti u prezantua nga Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi, në të cilin ndër të tjera vlerësohen zgjedhjet e 25 Prillit. Raporti bazohet tek konkluzionet e vlerësimit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it ku thuhet se procesi ishte i mirëorganizuar. Vlerësim jepet edhe për identifikimin elektronik të votuesve që u zbatua në 97% të vendvotimeve, që rezultoi i suksesshëm. Shqetësim, sipas raportit mbetet shit-blerja e votës.
“Administrata e re zgjedhore fitoi besimin e shumicës së aktorëve. Shqetësimet mbetën të lidhura me keqpërdorimin e burimeve publike ose funksioneve zyrtare, pretendimet për blerjen e votës dhe rrjedhjen e të dhënave të ndjeshme personale që mbulojnë preferencat politike të qytetarëve. Këto raste janë duke u hetuar”.
Raporti rekomandon që mazhoranca dhe opozita të përmirësojnë dialogun politik dhe të bashkëpunojnë për reformat e integrimit europian.
Mes kushteve të përmbushura për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, raporti vlerëson vënien në funksionim të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë me arritjen e kuorumit për vendimmarrjen, ngritjen dhe funksionimin e strukturave SPAK dhe BKH, forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si rritjen e bashkëpunimit me shtetet anëtare të BE-së.
Raporti po ashtu konstaton se Shqipëria ka arritur njëfarë përparimi në luftën kundër korrupsionit ndërsa dënimet e zyrtarëve të nivelit të lartë mbeten të kufizuara, duke nxitur ende një kulturë mosndëshkimi brenda niveleve brenda niveleve më të larta të Shtetit. Në raport thuhet se një i pandehur i përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë u dënua me dënim përfundimtar me burg nga gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Tv Klan