Izraeli nuk adreson plotësisht shqetësimet amerikane për luftimet dhe ndihmën ndaj civilëve në Gaza, bllokohet dërgimi i mbi 3 mijë bombave dhe municioneve për ushtrinë. Vendimi u mor pas rritjes së shqetësimeve për sulmin më të fundit në Rafah.
Një zyrtar i shtëpisë së bardhë i tha mediave se qëndrimi i SHBA-së ka qenë se Izraeli nuk duhet të nisë një operacion të madh tokësor në Rafah, ku më shumë se një milion njerëz janë strehuar dhe s’kanë ku të shkojnë tjetër.
“Ne kemi qenë të angazhuar në një dialog me Izraelin se si ata do të plotësojnë nevojat humanitare të civilëve në Rafah dhe se si të veprojmë kundër Hamasit atje, ndryshe nga kudo në Gaza. Këto diskutime janë në vazhdim dhe nuk i kanë adresuar plotësisht shqetësimet tona. Ndërsa udhëheqësit izraelitë dukej se i afroheshin një pike vendimi për një operacion të tillë, ne filluam të shqyrtojmë me kujdes transferimet e propozuara të armëve të veçanta në Izrael që mund të përdoren në Rafah. Kjo filloi në Prill”, konfirmoi zyrtari amerikan.
Gjatë natës, pati sulme të tjera ajrore izraelite në Rripin e Gazës, disa orë pasi forcat izraelite të mbështetura nga tanke morën kontrollin e kalimit kyç Rafah në kufirin me Egjiptin.
Bombardimet izraelite kanë qenë veçanërisht intensive rreth Rafahut pasi ka qenë një pikë kyçe hyrëse për ndihma dhe e vetmja dalje për njerëzit që mund të largohen që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit tetorin e kaluar.
Ndërkohë, vazhdojnë përpjekjet për të arritur një armëpushim, krahas lirimit të pengjeve izraelitë dhe të burgosurve palestinezë. Në Kajro, delegacionet nga Izraeli dhe Hamasi do të rifillojnë negociatat përmes ndërmjetësve.
Klan News