Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Në sallën e konferencave për shtyp të kryeministrisë, me xhama të thyer dhe gurë të shumta brenda, si pasojë e protestës më të fundit nga PD, zëdhënësi i kryeministrit, Thoma Gëllçi, ka dalë me një deklaratë ku, paralajmëroi një çarje të re të mundshme të koalicionit qeveritar, ku në epiqendër PBDNJ.

Thoma Gëllçi, Zëdhënësi i Kryeministrisë:- “Qeveria u njoh sot në mbrëmje me deklaratën e kryetarit të PBDNJ, Vasil Melo, dhënë në radion Zëri i Amerikës dhe dënon ashpër qëndrimin e tij të papërgjegjshëm në lidhje me ngjarjet e Tropojës. Zoti Melo është shprehur ne kundërshtim me vullnetin që ka treguar tryeza e partive të Aleancës për Shtetin, gjatë takimit me kryeministrin Meta, për përkrahjen dhe mbështetjen e fuqishme, që i duhet dhënë forcave të rendit, në mbrojtje të shtetit dhe të ligjit”.

Sipas deklaratës së qeverisë, në një kohë kur në të gjithë vendin dhe nga institucionet ndërkombëtare, janë shprehur qëndrime pro ligjit dhe rendit, kryetari i një partie, që është dhe në Aleancën për Shtetin, del kundër zbatimit të ligjit, ndaj:

Thoma Gëllçi, Zëdhënësi i Kryeministrisë:- “Kryeministri Ilir Meta, nuk mund të pranojë që të qeverisë në koalicion me një parti, nëse ajo nuk do të dijë të distancohet me kohë dhe prerë, nga deklaratat e papërgjegjshme. Kryeministri Ilir Meta deklaron, se në qeverinë që ai drejton, nuk mund të vazhdojë të jetë pjesë e saj asnjë individ, grupim politik, apo parti, që është kundër zbatimit të ligjit në përputhje me Kushtetuën e Republikës së Shqipërisë”.

Luan Rama:- “Partia Socialiste e Shqipërisë, nuk mund të pranojë të qeverisë me njerëz të papërgjegjshëm, prandaj kërkon nga PBDNJ, distancim nga deklaratat e zotit Melo dhe demonstrim të pjekurisë dhe të përgjegjshmërisë politike./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj