Gjatë kësaj periudhe, fluksi i turistëve që vizitojnë Shqipërinë po shtohet ndjeshëm ku kryesojnë ata që preferojnë zonat historike e kulturore të vendit, sipas ekspertëve të turizmit.

“Në Shqipëri gjatë kësaj periudhe janë të interesuar më shumë për qytetet kulturore, vendet kulturore. Tiranën me patjetër, vizitojnë Beratin, Gjirokastrën, Krujën, Shkodrën dhe gjithashtu dhe Durrësin. Turistët kryesisht që vijnë në Shqipëri kërkojnë dhe kohën e mirë, diellin, pasi shumë shtete, sidomos në pjesën e Europës, vijnë nga një dimër pa diell, me re dhe me shi”, u shpreh eksperti i turizmit Riges Beqiri.

Përveç turistëve nga Europa, ata nga vendet aziatike po preferojnë gjithnjë e më shumë për të vizituar Shqipërinë.

“Kryesisht janë britanikë, por edhe italianë goxha shumë. Risi për Shqipërinë që tashmë shikohet edhe fluks janë vendet aziatike, Japonia dhe Kina po shfaqin një interes shumë të madh për Shqipërinë dhe tani është shumë normale që shikon shumë turistë nga Kina dhe Japonia”, tha Beqiri.

Sipas ekspertëve, për shkak të bukurive dhe natyrës së Shqipërisë, ka shumë turistë të cilët rikthehen disa herë për të vizituar vendin.

“Faktikisht në fillim kanë ardhur për disa ditë, pra për fundjavë ose për 2-3 ditë dhe tashmë me vizita të gjata sepse kanë mbetur të kënaqur nga shërbimi që ka Shqipëria nga natyra. Vizitorë janë të të dyja llojeve, por kryesisht kemi individualë, pasi është bërë një promovim shumë i madh i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe duke qenë si e tillë ata kanë marrë guximin që fillimisht ta vizitojnë vetë”, tha Beqiri.

Tur-operatorët dhe vetë strukturat shtetërore kanë nisur përgatitjet për sezonin e ri turistik, ku fluksi i vizitorëve pritet të jetë më i lartë se në vitin që lamë pas.

Klan News