Turistët në Barcelonë janë spërkatur me pistoleta uji nga vendasit që u kanë shprehur kështu zemërimin për ‘mbiturizmin’. Ndryshe prej kryeqytetit spanjoll, në Kopenhagë turistët do të marrin incentiva financiare dhe lehtësira të tjera për sa kohë tregohen të përgjegjshëm.
Kryeqyteti danez duket se po e përballon trendin e mbipopullimit nga turistët duke tentuar që të tërheqë udhëtarët e sjellshëm, të ndërgjegjshëm për mjedisin dhe shoqërinë.
Bordi kombëtar i turistëve ka prezantuar një program për inkurajimin e sjelljes miqësore me mjedisin. Që prej së hënës, do të shpërblehen të gjithë ata që përdorin biçikletën, transportin publik ose merren me punë të vogla si kopshtaria apo mbledhja e mbeturinave përgjatë gjirit dhe në parqet e qytetit.
Ata që mbajnë filxhanë kafeje të ripërdorshëm mund të marrin pije falas në disa vende, ndërsa për raste të tjera të sjelljes së mirë përfshihet një kokteil në një bar në tarracë apo kohë shtesë në kompleksin artificial të skive.
Mikkel Aarø-Hansen, anëtar i bordit Wonderful Copenhagen tha se shpreson që ideja do të jetë frymëzim për qytetet e tjera ndërsa po kërkojnë një mënyrë për të ndërtuar marrëdhënie më simbiotike mes turistëve dhe vendasve.
Barcelona s’është i vetmi vend që po ndërmerr masa për të kontrolluar numrin e lartë të turistëve. Në Venecia është vendosur një taksë ditore prej 5 eurosh, ndërsa në Dubrovnik turistëve u është kërkuar që të mos përdorin valixhe me rrota ose t’i mbajnë në krahë për shkak të kakofonisë që krijohet kur i tërheqin në rrugët me kalldrëm.
Në Majorkë, Ibiza e vende të tjera janë vendosur masa të forta për konsumimin e alkoolit. Në disa destinacione po eksperimentohet me pagesat për hyrjen ose zona të ndaluara për vizitorët.
CopenPay do të vazhdojë deri më 11 gusht dhe po shihet nga autoritetet si projekt pilot që mund të përsëritet dhe zgjerohet nëse rezulton i suksesshëm. Në të ardhmen mund të shpëblehen vizitorët që shkojnë në Kopenhagë me tren dhe jo me avion./tvklan.al