Një grup ish-punonjësish të SpaceX duket se do të shkatërrojnë industrinë 45 miliardë Dollarëshe amerikane të picave me ndihmën e robotit të tyre.

Stellar Pizza, do të gatuajë pica perfekte nga një robot brenda 5 minutash. Synimi i tyre është ruajtja e çmimeve të përballueshme, picat me diametër 30 centimetër do të kushtojnë nga 7-12 Dollarë dhe konsumatorët mund të zgjedhin deri në 10 kombinime shijesh.

Makineria mund të kthejë një top brumi në një rreth dhe të përhapë në sasi të barabarta salcat dhe kombinimet e tjera. Roboti u dizenjua me pajisje elektroshtëpiake, kontrollohet nga një program i posaçëm për të dhe do të vendoset brenda një kamionçine.

Në një video, tregohet procesi i plotë që nga hapja e brumit e deri te vendosja e produkteve. Më pas, pica vendoset brenda një prej katër furrave për t’u pjekur.

Do të ketë edhe punonjës të cilët do t’i dorëzojnë picat klientëve. Stellar Pizza mori edhe një financim prej 16.5 milionë Dollarë nga Jay-Z dhe për herë të parë do të vendoset në Universitetin e Kalifornisë.

Brumi i picave përgatitet brenda kamionçinës dhe fermentohet për disa ditë që shija të jetë më komplekse dhe e fortë.
I quajtur edhe si “një raketë brenda rrotave”, roboti ka kapacitetin për të bërë 420 pica./tvklan.al