Meta: Mos i fshihni të dhënat për Covid-19
Kanë vijuar në rrjetet sociale replikat mes Edi Ramës dhe Ilir Metës për situatën e pandemisë.
Kryeministri i ka kthyer përgjigje Presidentit pasi ky i fundit tha se sistemi shëndetësor rrezikon kolapsin.
Kreu i mazhorancës thotë se infektimet dhe humbjet e jetës janë shtuar kudo në botë pavarësisht nga testimet.
“Ilir, infektimet dhe humbjet e jetës po shtohen fatkeqësisht kudo në botë, pavarësisht nga testimet e nga dënglat e tua, Lulit, Monikës e Saliut! Sot në Itali kanë humbur jetën aq sa Shqipëria gjithsej. Krahasuar me numër popullsie i bie që duhet të kishim 30 vdekje në ditë. Si shpjegohet që tërë kjo botë nuk po ia del dot më mirë se ne, meqë këtu e paska fajin qeveria për rritjen e numrave? Pyetje kot kjo se ti je Shvejku, “Ç’më duhet mua ça them unë!”, jo Presidenti i Republikës! Si të ra kështu kallaji fare o njeri, çfarë do akoma nga Shqipëria”.
Kreu i ekzekutivit thotë se Meta, Kryemadhi, Basha dhe Berisha i kanë varur shpresat tek katastrofa shëndetësore.
Por ai i paralajmëron dhe thotë se do të dështojnë më keq më 25 Prill.
“Ilir, që ti Monika Luli Saliu i keni varur shpresat tuaja të lodhura për pushtet tek ëndrra e katastrofës shëndetësore, këtë e kupton çdokush me dy fije mend! Që do dështoni edhe më keq se herë tjetër këtë do ta shihni në 25 Prill! Kjo që bëni është një turp që do u mbetet juve”!
Por e menjëhershme ishte edhe replika e Presidentit Meta. Ai ripërsëriti se qytetarët e infektuar me Covid po shtohen çdo ditë, ashtu si dhe jetët e humbura.
Ai bëri thirrje që të shtohen testimet, të rimbursohen pacientët të cilët mjekohen në shtëpi, familjet në nevojë dhe pensionistët e infektuar.
“Rrit buxhetin për sistemin shëndetësor! Shto spitalet COVID! A e di ti sa paguan sot çdo shqiptar për mjekim dhe ilaçe për t’i shpëtuar COVID-19? A nuk ishe ti që ju premtove shëndetësinë falas? Mjaft me koncensione dhe PPP korruptive! Mjaft me tendera sekrete për oligarkët”, shkruan Meta.
Presidenti thotë se qeveria ka fshehur të dhëna për Covid-19.
“Nuk ke plan! Nuk ke strategji! Ke vetëm propagandë! Çdo ditë po humbin jetën qytetarë! Çdo ditë numri i të infektuarve po shtohet frikshëm! Ku e ke shëndetësinë falas? Pse nuk ju rimburson çdo qindarkë që paguajnë për ilaçe pacientët që mjekohen në shtëpi, familjet në nevojë dhe pensionistët e infektuar me COVID-19? Pse nuk i shton testimet? Pse nuk e shton buxhetin për sistemin shëndetësor? Ti për vete nuk paguan asnjë kacidhe për ilaçe, ndërsa çdo shqiptari sot me arrogancë i thua: “Mos u sëmur se shteti nuk kujdeset dot për ty! As ilaçet nuk ja u paguaj!” Mos i fshihni të dhënat për COVID-19 për të mbuluar paaftësinë tuaj në menaxhimin e kësaj situate, prag kolapsi! Mjaft me justifikime dhe batuta bajate! Si nuk u lodhe 8 vite duke vjedhur papushim me koncesione dhe PPP? Askush në botë nuk e shfrytezon pandeminë për të vjedhur si ti dhe Parlamenti yt monist që bën ligje për oligarkët në kulmin e kësaj fatkeqësie! Askush nuk mund të prishte Teatrin Kombëtar në gjendje të jashtëzakonshme për të ndërtuar kulla për oligarkët! Mos i fshihni të dhënat për Covid-19”, tha Meta.
Më herët, Presidenti Ilir Meta tha se sistemi shëndetësor rrezikon të zhytet në kolaps të thellë për shkak të një mungese të një plani dhe strategjie konkrete për të përballuar përhapjen masive të pandemisë./tvklan.al