Kryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka treguar se në vitin 2001, maqedonasit kanë qenë pro ndarjes së Maqedonisë nga shqiptarët. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Ali Ahmeti u shpreh se ka patur propozime zyrtare dhe i është kërkuar që të takohet me një person të rëndësishëm.

“Ka patur propozime për ta ndarë Maqedoninë, kanë qenë zyrtare në nivele shumë të larta. Ka ardhur tek unë kryetari i PDSH dhe më ka pyetur a pranon të takohesh me një maqedonas. Po takohem, thashë. Ma prezantoi temën, ndarja e Maqedonisë. Tetova, Gostivari, Zajazi me Shqipërinë, kurse Likova në veri që kufizohet me Kosovën t’i takojë Kosovës.

Edhe them unë, kjo nuk mund të bëhet. Nëse është serioz personi, mund ta bisedojmë ndarjen nga Manastiri, Shkup – Kumanovë në kufijtë natyralë të shqiptarëve. Nëse nuk bëhet asnjëherë, ne do vazhdojmë të luftojmë. Maqedonasit e duan Maqedoninë, por pa shqiptarë. Edhe unë duhet si shqiptar, edhe gjithë shqiptarët, duhet t’ua pranojmë që varre e livadhe kanë edhe maqedonasit, edhe t’ua respektojmë”

, ka deklaruar Ali Ahmeti.

Kryetari i BDI tregoi se maqedonasit u tërhoqën më vonë nga ky propozim. Mes mazhorancës dhe opozitës maqedonase në atë kohë, para nënshkrimit të “Marrëveshjes së Ohrit”, edhe mes tyre ka patur kundërshtime. Sipas Ahmetit, disa kanë qenë pro ndarjes së Maqedonisë nga shqiptarët, kurse të tjerë kundër.

Sa i përket temës për referendumin e 30 Shtatorit që do të mbahet në Maqedoni për emrin e ri, Ali Ahmeti theksoi se do të votohet për të ardhmen e vendit, për anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Europian. Ai u shpreh i bindur se shqiptarët janë të interesuar që të votojnë në referendum pro emrit të ri të Maqedonisë.

“Shqiptarët votojnë për të ardhmen e tyre në Maqedoni. Ata do të votojnë pro ndryshimit të emrit të Maqedonisë”

, tha kreu i BDI.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu në lidhje me bisedimet Kosovë-Serbi dhe mundësinë e një marrëveshje mes tyre për korrigjimin e kufijve, Ali Ahmeti është i mendimit se ende nuk ka asgjë konkrete.

“Mendoj që akoma nuk kanë filluar bisedimet Kosovë – Serbi. Negociatat nuk hëhen me konferenca shtypi, me tryeza të rrumbëllakëta në emisione. Në negociata caktohen njërëzit për të bërë negociata me ndërmjetësim ndërkombëtar. Serbët janë të interesuar ta mbyllin këtë problem dhe ti japin fund një konflikti shekullor”

, deklaroi kryetari i BDI Ali Ahmeti. /

tvklan.al