Ahmetaj: Do të jenë gati në 25 Nëntor
Ministri i rindërtimit, Arben Ahmetaj ka inspektuar punimet në shkollën 9-vjeçare në Ahmetaq të Vorës, e dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit. Ai thotë se rindërtimi ka rritur edhe kapacitetet e kësaj shkolle e cila do të akomodojë mbi 240 nxënës të zonës.
“Kanë avancuar punimet për ndërtimin e shkollës së re. Është një nga 140 shkollat që ne do ndërtojmë. Kjo do të jetë gati më 25 Nëntor”.
Ministri theksoi se projekti i ri është konceptuar edhe për nxënësit me aftësi të kufizuar.
“Këto shkolla do të jenë edhe për nxënësit me aftësi ndryshe për të lehtësuar jetën e tyre. Të gjitha shkollat që po ndërtohen kanë ashensor dhe rampat në hyrje e dalje për të lehtësuar jetën e këtyre nxënësve”.
Projekti me vlerë 145 milionë Lekë të reja i financuar nga qeveria shqiptare, parashikon ndërtimin e një objekti me 3 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, 8 klasa të përgjithshme për mësim dhe 3 laboratorë, si dhe ambientet e tjera ndihmëse.
Tv Klan