Paralajmërimet e të dërguarit të Gjermanisë për Ballkanin, Manuel Sarrazin se Kosova mund të përjashtohet nga Procesi i Berlinit po i shohin me shqetësim ekspertët e ekonomisë në Kosovë.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu thotë se Kosova nuk e ka komoditetin refuzues posaçërisht në këtë kohë kur është edhe nën masa të BE-së. Sipas tij, ky eksperiment i qeverisë po e izolon Kosovën.
“Ekonomia nuk zhvillohet me emocione dhe me patriotizëm folklorik, por me kalkumin dhe llogaridhënie. Sipas tij, falë marrëveshjes së CEFTA-s Kosova kishte avancuar dhe është pjesë e barabartë e Procesit të Berlinit.”
Thotë se fokusi i qeverisë duhet të jetë zbatimi i marrëveshjeve të Berlinit dhe jo barrierat.
“Kosova nuk e ka komoditetin që Evropës t’i shpallë luftë dhe t’i vë barriera tregtare. Në qoftë se e ka pretekstin te siguria, kishte pasur efekt, sikur bilanci tregtar i Kosovës. Fituesit më të mëdhenj në këto sanksione janë Maqedonia, Turqia dhe Kina.”
Sipas tij, qeveria duhet të kuptojë rëndësinë e stabilitetit politik dhe pjesëmarrjen konstruktive të këtyre iniciativave.
“Nëse Kosova e ka kundërshtuar Ballkanin e Hapur, kjo rrugë dhe ky refuzim mund ta devijojë rrugën e Kosovës dhe një ditë të mos ketë alternativë tjetër.”
Ai përmendi pasojat nëse Kosova nuk do të jetë pjesë e kësaj iniciative. Më 14 Tetor në Gjermani pritet të shënohet 10-vjetori i Procesit të Berlinit.
Në kuadër të përgatitjeve, Sarrazin ishte dy herë në Kosovë për të sqaruar problemet me Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, por nuk ka hasur në mirëkuptimin e qeverisë për shkak të ndalimit të importeve të mallrave serbe. Ai ka paralajmëruar se Kosova rrezikon izolim më të thellë.
Tv Klan