Ulet niveli i Fierzës, tender edhe për Shtatorin
Për 9 muaj të këtij viti, Shqipëria është importues neto i energjisë elektrike, duke i rënduar buxhetit të kompanisë së shpërndarjes së energjisë një faturë prej 120 milionë eurosh.
Edhe për Shtatorin, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë ka hapur një tjetër procedurë prokurimi për të plotësuar nevojat për konsum me energji të qytetarëve.
OSHEE kërkon blerjen e një sasie të konsiderueshme prej 180 mijë megavat orë përgjatë gjithë muajit, nga data 1 deri më 30 Shtator.
Aktualisht çmimi i energjisë në bursa luhatet mes vlerave 65 në 72 euro për megavat orë, duke bërë që gjatë muajit të ardhshëm të shpenzohen 12 milionë euro për blerjen e saj.
Edhe gjatë Gushtit, OSHEE shpenzoi 8.7 milionë euro për import të energjisë elektrike.
Burime nga Korporata Elektroenergjetike bëjnë me dije se niveli i ujit në liqenin e Fierzës ka arritur në kuotën e 287 metrave, duke rënë me 5 metra krahasuar me Korrikun, ndërsa prurjet kanë qenë minimale.
Për shkak të thatësirës, këtë vit prodhimi i energjisë nga hidrocentralet publike u ul me 3.7 herë, ndërsa nevojat për konsum u rritën me 4.7%.
E gjithë kjo situatë ka bërë që Operatori i Shpërndarjes së Energjisë të shkurtojë një pjesë të investimeve në rrjetin e energjisë elektrike.
Tv Klan