Nga Kryesia e Kuvendit, kreu i qeverisë Edi Rama kishte një sugjerim për prokurorët e SPAK. Sipas tij, të mos shkruajnë njoftime zyrtare sa herë dëgjojnë deklaratat e tij, por t’i marrin si kritikë konstruktive dhe të bëjnë punën e tyre.

“Në vend që të merren me deklaratat e mira dhe sa herë unë bëj deklarata, të bëjnë njoftime për shtyp, të bëjnë punën e tyre. E kanë gjithë mbështetjen tonë! T’i dëgjojnë këto si kritika dhe shqetësime konstruktive. Për ne, për PS-në, Gjykata dhe SPAK rrojnë 1000 vjet dhe nuk u vjen e keqja nga ne. Mos t’i ndjekin mediat sikur janë parti politike, të ndërpresin marrëdhëniet me gazetarët specialë, të mos furnizojnë miletin me sekrete hetimore, të mos bëhen redaksi. Të mos sillen sikur janë redaksi gazetash, portalesh, kanalesh. Të bëjnë punën e tyre! Sa herë që do të kapin korrupsion, atë shpatën ta hapin krahun me gjithë forcën. Por korrupsion ama, korrupsion!”, deklaroi Rama.


Që pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, numri një i kabinetit e ka thënë herë pas here se mazhoranca kërkon “drejtësi me standarde europiane”. Ai ka theksuar po ashtu se koha e heshtjes ka mbaruar”.

Theksojmë se këtë të Mërkurë, kjo mbledhje u bë për të dëgjuar Rektorin e Universitetit Bujqësor Fatbardh Sallaku. Lidhur me 24 masat e sigurisë ndaj stafit të këtij Universiteti, Sallaku tha se ka besim që shumica e tyre janë persona të ndershëm. Vuri theksin edhe te partneriteti me Universitetin Boku, duke shtuar se në këtë pikë imazhi është tejet i rëndësishëm.

Për Ramën, ato masa janë lëshuar pa gjyq, megjithatë nënvizoi se “nuk po ushtrohet asnjë lloj presioni ndaj institucioneve të drejtësisë”.

/tvklan.al