Kryeministri Edi Rama u shpreh para grupit parlamentar të PS-së se SPAK dhe Gjykata e Posaçme “siç është shpresë duhet të bëhet dhe krenari kombëtare”. Sipas tij, ato duhet të jenë “vendet e shenjta të drejtësisë” ku nuk duhet të ketë hije të Sigurimit të Shtetit. Kreu i qeverisë tha se ka informuar ministrin Ulsi Manja për një intimidim shumë të rëndë që i është bërë një nëne me dy fëmijë.
“Nuk dua të flas. Kam informuar Ministrin e Drejtësisë për një intimidim tjetër shumë të rëndë, të një nëne me dy fëmijë, të cilës i kërkohet të pranojë atë që s’ka bërë dhe i thuhet o do pranosh këtë, ose do ta hash më keq sesa ata që duhet t’i zhysësh brenda”, tha Rama.
Për këtë arsye ai kërkoi nga drejtësia e re që të mos hyjnë më në kufijtë e pushtetit ekzekutiv, pasi edhe ky pushtet njëlloj si drejtësia, është i pavarur. Kreu i qeverisë theksoi se njerëzit nuk janë domate dhe nuk janë kavie, por duhet të respektohen deri në fund.
“Ata janë një pushtet i pavarur, por edhe ky është një pushtet i pavarur. Edhe pushteti ekzekutiv është pushtet i pavarur. Boll është hyrë në kufijtë e pushtetit ekzekutiv. Boll janë traumatizuar të gjithë punonjësit e administratës me thirrje e me ftesa, e me presione, e me paraburgime. Boll. Boll. Duhet të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Dhe duhet menduar për t’i dhënë shërbim konsulence të fuqishme ndërkombëtare për gjithë aspektet e tjera që marrin përsipër të analizojnë dhe që nuk kanë kapacitete t’i analizojnë. Jo pabarazia në tendera, dhe të gjitha përfundojnë te shpërdorimi i detyrës që është një thes i madh ku nuk merr vesh i pari me të dytin. Njerëzit nuk janë domate, njerëzit nuk janë kavie. Çdo njeri meriton deri në fund të respektohet”, tha Rama.
Ai theksoi se tashmë është provuar pavarësia e institucioneve. Rama u shpreh se mazhoranca socialiste do profesionalizëm dhe integritet demokratik në çdo proces.
“Ne jemi të vërtetë dhe të drejtpërdrejtë siç kemi qenë 5 vjet kur kemi shtrënguar dhëmbët dhe nuk kemi folur kurrë dhe kemi dashur pavarësinë. Tani që pavarësia është e sprovuar, tani ne duam profesionalizëm dhe duam integritet demokratik të çdo procesi”, tha Rama i cili paralajmëroi se dëgjesat, si kjo e sotmja me rektorin e UBT-së Fatbardh Sallaku, do të vazhdojnë për të gjithë ata që duan të shprehen, por me një kusht.
“Për sa kohë nuk është i akuzuar për korrupsion dhe për sa kohë nuk është në hetim për korrupsion. Me persona në hetim nuk merremi ne”, shtoi Rama./tvklan.al