Rusia nisi të evakuoi sërish civilët në një tjetër rajon pranë Ukrainës, pasi frocat ushtarake të Kievit rritën aktivitetin pranë kufirit, vetëm disa ditë pas inkursionit të saj më të madh në territorin rus.

Në rajonin fqinj Belgorod në jug, guvernatori rajonal Vyacheslav Gladkov tha se evakuimet kishin filluar nga distrikti Krasnaya Yaruga për shkak të aktivitetit në kufi.

“Jam i sigurt se ushtarakët tanë do të bëjnë gjithçka për të përballuar kërcënimin që është shfaqur. Ne po fillojmë t’i zhvendosim njerëzit që jetojnë në rrethin Krasnaya Yaruga në vende më të sigurta”, tha Gladkov.

Inkursioni i Ukrainës në tokën ruse ka hyrë në ditën e shtatë. Forcat ruse u përfshirë në luftime me trupat ukrainase në Tolpino, Zhuravli dhe Obshchy Kolodez rreth 25 kilometra brenda territorit rus. Më shumë se 20 qendra të përkohshme akomodimi janë vendosur në disa rajone për njerëzit e zhvendosur.

Ndërkaq në terren Rusia shkatërroi pesë dronë mbi Belgorod gjatë natës, 11 mbi Kursk dhe dy mbi Voronezh. Sulmi ukrainas ka shtyrë disa në Moskë të pyesin pse Ukraina ishte në gjendje të depërtonte aq lehtë në rajonin e Kurskut, pas më shumë se dy vjetësh luftimesh intensive.

Blogerët ushtarakë rusë thonë se forcat ukrainase në Kursk po përpiqen të rrethonin Sudzha, ku gazi natyror rus kalon në Ukrainë, ndërsa luftimet e mëdha janë duke u zhvilluar pranë Korenevo, rreth 22 km nga kufiri.

Nga ana tjetër Ukraina dhe Rusia kanë fajësuar njëra-tjetrën pas një zjarri që shpërtheu në termocentralin bërthamor Zaporizhzhia. Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha se forcat ruse kishin ndezur një zjarr në uzinë. Mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së ka bërë të ditur se tymi po dilte nga objekti, por nuk kishte asnjë ndikim për sigurinë bërthamore.

Klan News