Rusia mund të mos jetë në gjendje që të paguajë borxhet e saj, pas vendosjes së sanksioneve nga Perëndimi dhe Shtetet e Bashkuara, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Rusia do të duhet të paguajë një interes prej 117 milionë dollarësh dy investitorëve, shkruan BBC.

Sipas agjencive të vlerësimit të kredive, Rusia do të hasë vështirësi, madje nuk do të mundet që të paguajë borxhet.

Nga ana tjetër, Ministri i Financave të Rusisë deklaroi se tashmë borxhi është paguar, dhe se ishin në pritje të zhbllokimit të transferatave në sistemin bankar të Shteteve të Bashkuara.

Anton Siluanov tha: “Ne i kemi paratë, kemi bërë pagesën, tani topi është në fushën e autoriteteve amerikane”.

Por pse Rusia nuk do të mund të paguajë borxhet?

Qeveria e Federatës Ruse, përfshirë kompani të tilla si Gazprom, Lukoil dhe Sberbank, u detyrohen rreth 150 miliardë dollarë investitorëve të huaj.

Shumica e detyrimeve është në dollarë dhe euro, ndaj pagesat e interesave duhet të kryhen në monedhat përkatëse të këtyre shteteve.

Sanksionet e vendosura nënkuptojnë se Rusia ka humbur aksesin në një pjesë të madhe të rezervave të saj, rreth 630 miliardë dollarë në valutë të huaj. Megjithatë, ajo ende merr pagesa në dollarë për naftën, gazin dhe produkte të tjera që shet jashtë vendit dhe ajo valutë e huaj është e aksesueshme.

Nëse Rusia dështon do të jetë mospagimi i parë i borxhit të vendit që nga viti 1998./tvklan.al