Shpërthime të forta tronditën kryeqytetin e Ukrainës Kiev mëngjesin e së hënës pasi Rusia lëshoi një breshëri raketash, duke shkaktuar zjarre dhe duke dëmtuar shtëpitë dhe infrastrukturën.
Banorët në të gjithë qytetin u zgjuan nga një sërë goditjesh dhe zhurma e raketave të mbrojtjes ajrore. Sulmi ndodhi ndërsa fëmijët nisën edhe vitin e ri shkollor.
Forca ajrore tha se kishte shkatërruar 22 nga 35 raketa dhe 20 nga 23 dronë sulmues. Alarmet për sulm ajror u dëgjuan në të gjithë Ukrainën për gati dy orë përpara, ndërsa banorët u strehuan në metro. Polonia, anëtare fqinje e NATO-s, aktivizoi avionët për të mbajtur të sigurt hapësirën e saj ajrore gjatë sulmeve.
Sulmi plagosi tre persona, thanë autoritetet ushtarake të qytetit, duke shtuar se dy prej tyre u dërguan në spital. Distrikti Solomyanskyi pësoi dëme të konsiderueshme që është shtëpia e një stacioni të madh treni dhe aeroportit kryesor të Kievit. Nga ana tjetër disa kopshte do të mbyllen për një javë në qytetin rus të Belgorod pranë kufirit të Ukrainës , ndërsa disa shkolla do të mbajnë mësime online pasi një sulm ukrainas shkatërroi një shkollë.
Ndërkaq të dielën Rusia nisi një sulm në qytetin e Kharkiv duke plagosur të paktën 47 persona. Sipas të dhënave paraprake, qyteti u godit nga raketat balistike Iskander-M. Breshëria e radhës e sulmeve vjen pasi Ukraina nisi valë sulmesh me dronë që synonin impiantet e energjisë dhe rafinerive në rajonin e Moskës dhe Tverin fqinj, duke shkaktuar zjarre.
Luftimet vijnë në një moment kritik ku Rusia po kryen një ofensivë në Ukrainën lindore ndërsa përballet edhe me sulmin ukrainas në kufirin e saj perëndimor, një inkursion të befasishëm që nisi më 6 Gusht.
Klan News