Zv/kryeministri italian Mateo Salvini është vënë në krye të një lëvizjeje për të bashkuar të djathtën populiste përpara zgjedhjeve europarlamentare të këtij muaji. Këtë të enjte, ai takohet në Budapest me kreun e qeverisë hungareze Viktor Orban.
Salvini është i ftuar nga Orban të vizitojë kryeqytetin hungarez. Shtypi hungarez shkruan se Orban do të diskutojë mundësitë e bashkëpunimit në rang europian me Salvinin. Kryeministri hungarez është në kërkim të aleatëve të rinj, pasi Partia Popullore Europiane pezulloi anëtarësinë e partisë së tij Fidesz, për shkak politikave radikale të ndjekura nga Orban që shkojnë përkundër frymës liberale europiane. Përpara vizitës së Salvinit, Orban kritikoi linjën që po ndjek Partia Popullore Europiane.
Viktor Orban, kryeminister i Hungarisë:
PPE po përgatitet për të kryer vetëvrasje, teksa po kërkon që të lidhet me të majtën. Prandaj na duhet të gjejmë një tjetër rrugë bashkëpunimi me krahun e djahtë të Europës.
Zyra e shtypit e qeverisë hungareze njoftoi se presidenti amerikan Donald Tramp e ka ftuar Viktor Orbanin për një takim pune në Uashington më 13 maj. Mateo Salvini, kreu i Lega Nordit italian, po shfaqet gjithnjë e më shumë si imazhi i politikanit përbashkues për partitë euroskeptike, nacionaliste kundër emigrantëve europiane.
Tv Klan