Ky është Csaba Torok, i cili merret me ullinj, në një zonë në jug të Hungarisë, pranë liqenit Balaton. 55-vjeçari mori tre pemët e ullirit nga Spanja në vitin 2008. Dy prej tyre i ngrinte gjatë dimrit dhe në këto kushte, Torok bleu edhe 200 të tjera për t’i mbjellë në vreshtat në Hegymagas, një tokë e pasur me diell dhe shi të bollshëm.
Teksa mblidhte ullinjtë me miqtë, prodhuesi Torok tregon se klima e ngrohtë e detyroi të zhvendosej këtu, një vend të cilin e konsideron si shtëpinë e tij.
“Nuk është e vërtetë që vendi më i mirë për rritjen e pemëve të ullirit është pjesa më jugore e Evropës, e cila po bëhet si një shkretëtirë për shkak të klimës e saj. Plantacionet kanë qenë atje për mijëra vjet, por më e mira është një klimë e ngrohtë jo shumë e thatë me dimër të butë dhe me reshje mesatare”.
Ai e dërgon ullirin e tij në Slloveninë fqinje, ku prodhohet vaji i tij i virgjër të cilin e shet për 4500 forinta, ose mbi 12 Dollarë për litër.
Ndërsa Evropa Jugore goditet nga thatësira dhe vala e të nxehtit përvëlues, zonat të cilat konsiderohen më të përshtatshme për ullishte, ndodhen në veri.
Në Hungari pranë qytetit të Pecs, Gabor Stix ka vite që eksperimenton me një ullishte, duke kultivuar pemë për shitje. Stix pret që të gjitha pemët e tij të rritura këtë vit të shiten deri në Mars.
“Pemët e duan këtë klimë, shumë më tepër se vendet e tjera. Dikush do të mendonte se Hungaria nuk është e duhura për prodhimin e ullirit, por gabohet është krejtësisht e përshtatshme”.
Dimrat e Hungarisë janë bere më të butë gjatë viteve të fundit. Edhe në veri të Hungarisë, në Sllovaki, njerëzit kanë blerë pemë ulliri për kopshtet e tyre për të pasur një ‘ndjesi mesdhetare’. Në fshatin Izsa, pronari i kopshtit, Istvan Vass, ka importuar këtë vit rreth 25 kamionë me pemë ulliri nga Spanja, duke i shitur ato për 300-500 Euro për pemë.
“Ne po e shohim se ka shumë ullinj të mbjellë jashtë në kopshte dhe ato përshtaten shumë mirë me klimën, kështu që nuk ka nevojë të shqetësoheni për to.”
Aty paraqiten çdo ditë blerës që shfaqin interes për ullinjtë e Spanjës. Vass thotë se gjatë dimrit pemët mund të pësojne dëmtime nga temperaturat nën zero, por sipas tij pemët mbulohen për të mos u dëmtuar.
Spanja, e cila furnizon rreth 40% të vajit të ullirit në botë, në dy vitet e fundit ka marrë një prodhim të dobët për shkak të valës së të nxhetit. Kjo ka sjellë edhe dyfishimin e çmimit të vajit të ullirit duke e çuar në nivele rekord.
Ndërkohë, Agjencia Europiane e Mjedisit ka bërë të ditur një muaj më parë se Europa është kontinenti me ngrohjen më të shpejtë në bote dhe jugu i saj veçanërisht kërcënohet nga thatësira.
Klan News