Ka shkaktuar polemika të shumta vendimi i Ministrit të Brendshëm italian, Mateo Salvini për të regjistruar komunitetin rom dhe pakicat e tjera nomade në vendin fqinj.
Me anë të një urdhri të brendshëm, dërguar kryebashkiakëve, Salvini synon krijimin e një harte brenda muajit Korrik, për identifikimin e vendqëndrimeve të këtyre komuniteteve, për të vijuar më pas me planin për dëbimin personave të paligjshëm nga vendi.
Por për përfaqësuesit e komunitetit rom në Itali, kjo nismë ka vetëm një qëllim, dëbimin e romëve dhe pakicave nomade, të cilët në shumicën e rasteve janë të paregjistruar.
“Zoti ministër po përdor me ne romët fishekët e fundit që i kanë mbetur. Ne jemi ilegalë që kur lindim. Jetojmë në rulota e tenda. Ne jemi tashmë të paligjshëm. Edhe pse sillemi gjithmonë mirë, ata na thonë se jemi të këqij”.
Masë diskriminuese e kanë cilësuar shoqatat për mbrojtjen e pakicave në Itali nismën e Ministrit të Brendshëm, i njohur për politikën populiste. Sipas tyre, Salvini i dha dhënë sërish zë linjës së fort kritikuar të ish-kryeministrit Silvio Berlusconi, që shpalli emergjencën ndaj nomadëve në vitin 2008.
Tv Klan