Në ceremoninë e ardhshme nuk do të ketë çmime për kategori të ndara gjinore
‘Brit Awards’ do të vijë me ndryshime të mëdha në edicionin e ri. Për herë të parë nuk do të ketë çmime të ndara për kategoritë e artistëve meshkuj apo femra, por ato do të jenë më gjithëpërfshirëse.
Në vend të kësaj, organizatorët e kësaj ngjarjeje kanë shtuar disa kategori të reja, si “Artisti i vitit” dhe “Artisti ndërkombëtar i vitit”, duke i nderuar artistët vetëm për muzikën dhe punën e tyre, pa i ndarë në gjini.
Në ceremoninë e këtij viti , këngëtari jo-binar britanik i popit Sam Smith u la jashtë kategorive gjinore.
Ai tha: “Mezi pres një kohë ku shfaqjet e çmimeve mund të reflektojnë shoqërinë në të cilën jetojmë. Le të festojmë të gjithë, pavarësisht nga raca, mosha, aftësia dhe gjinia.”
Edhe katër çmime të reja i janë shtuar ceremonisë, fituesit e së cilave do të përzgjidhen nga votat e publikut.
Kategoritë e reja të “Brit Awards” janë: “Alternative/Rock Act”, “Hip-Hop/Grime/Rap Act”, “Dance Act” dhe “Pop/R’n’B Act”.
Kujtojmë se në edicionin e kaluar të kësaj ceremonie, Dua Lipa ishte në qendër të vëmendjes për interpretimin fantastik të disa prej hiteve të albumit të saj shumë të suksesshëm, “Future Nostalgia”.
Klan News