Artistja shqiptare, Dua Lipa dhe J Hus do të hyjnë në histori si yjet e fundit që kanë fituar çmimin si artistët më të mirë femër dhe mashkull në Brit Awards.

Kjo vjen pasi vitin e ardhshëm, të dy këto kategori do të kombinohen në një çmim të vetëm për artistin më të mirë britanik.

Sjellim në vëmendje se artistë si Sam Smith dhe Will Young kanë bërë thirrje dhe më herët për një ndryshim të tillë pasi sipas tyre sistemi aktual përjashton artistët me gjini jo-binare (një spektër identitetesh gjinore që nuk identifikohen me gjinitë klasike si mashkullore apo femërore).

Kujtojmë se Smith, i cili është jo-binar, humbi një nominim në çmimet e këtij viti.

Asokohe, ylli shkruante në Instagram duke bërë thirrje që ndarjet e çmimeve në këto evente të jenë më “reflektuese të shoqërisë në të cilën jetojmë”.

“Brit Awards kanë qenë një pjesë e rëndësishme e karrierës sime. Muzika për mua ka qenë gjithmonë për bashkim dhe jo për ndarje. Mezi pres një kohë ku shfaqjet e çmimeve mund të reflektojnë shoqërinë në të cilën jetojmë. Le të festojmë të gjithë, pavarësisht nga gjinia, raca, mosha, aftësia, seksualiteti dhe klasa”, u shpreh Smith në postimin e tij në “Instagram”./tvklan.al