Shqipëria do të jetë më 16 Maj 2025 mikpritëse e Samitit të Komunitetit Politik Evropian, një ngjarje historike që pritet të mbledhë në Tiranë liderët e vendeve evropiane.

Ky samit pritet të theksojë rëndësinë e Shqipërisë si një partner strategjik për stabilitetin rajonal dhe integrimin evropian.

Ngjarja konsiderohet një sukses i madh për diplomacinë shqiptare, duke treguar aftësinë e saj për të organizuar aktivitete ndërkombëtare të nivelit të lartë dhe për të promovuar rëndësinë e Ballkanit Perëndimor në axhendën e BE-së.

Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar privilegj faktin se takimi i ardhshëm i Komunitetit Politik Evropian do të zhvillohet në Tiranë.

Në një deklaratë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbán, pas takimit të Komunitetit Politik Europian në Budapest, në 7 Nëntor, Kryeministri Rama u shpreh se, “do të jetë një privilegj mjaft i madh për të punuar si ekip për ta bërë takimin e ardhshëm në Tiranë po kaq të suksesshëm sa ky”.

Rama falenderoi Presidentin e Francës Emmanuel Macron, pasi ishte ideja e tij për të nxitur organizimin e një formati të tillë, që është një vizion i vjetër francez që daton midis shekujve XVII-XVIII.

Takimi mund të jetë një mundësi për Shqipërinë që të tregojë angazhimin e saj për avancimin në procesin e integrimit dhe të forcimit të institucioneve demokratike.

Po ashtu, është një mundësi për të diskutuar mbi të ardhmen e rajonit dhe për të thelluar bashkëpunimin me vendet e tjera të Komunitetit Politik Europian.

Komuniteti Politik Evropian është një platformë për koordinim politik e krijuar mbi bazën e propozimit të Presidentit francez Emmanuel Macron, e cila synon nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për çështje me interes të përbashkët, forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinentin evropian.

Klan News