Do të marrë pjesë në samitin Ukrainë-Europa juglindore

Për herë të parë Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky do të vizitojë Tiranën për të marrë pjesë në samitin e 28 Shkurtit Ukrainë – Europa Juglindore.

Për arsye sigurie axhenda e tij në kryeqytetin shqiptar u ndryshua disa herë derisa u publikua nga Kryeministria mbrëmjen e së martës. Presidenti ukrainas do ta nisë këtë vizitë më pak se 24 orëshe në Tiranë me takimin me kryeministrin Rama në orën 9:00 në godinën qeveritare.

Pas takimit kokë me kokë dhe atij mes delegacioneve kryeministri Rama dhe presidenti Zelensky do të nënshkruajnë edhe një marrëveshje për bashkëpunimin në disa fusha mes dy vendeve.

Më pas të dy rreth orës 11:00 do t’i drejtohen Pallatit të Kongreseve ku do të zhvillohet edhe samiti e ku do të marrin pjesë liderë nga Europa Juglindore. Mes tyre do të jenë Presidentja e Kosovës, ai i Serbisë, Malit të zi, Maqedonisë së veriut, etj. ndërsa krerët e shtetit të Turqisë, Greqisë, Rumanisë dhe Bullgarisë do të adresojnë fjalën e tyre nëpërmjet një videomesazhi.

Ky samit që do të bashkëdrejtohet nga Rama e Zelensky ka si qëllim që në 2-vjetorin e sulmeve ruse në Ukraine t’i tregojë kësaj të fundit mbështejen e të gjithë vendeve të Europës Juglindore. Në përfundim të samitit kryeministri Rama dhe presidenti Zelensky do të dalin përpara mediave për një konferencë për shtyp që mbyll dhe vizitën e Presidentit ukrainas në Tiranë.

Përfaqësuesi i Bashkimit Europian që do të marrë pjesë në samitin e 28 Shkurtit do të jetë Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varheyli, i cili do të drejtojë edhe samitin e 29 Shkurtit po në Tiranë ku do të diskutojë me liderët e Ballkanit Perëndimor për fondin e rritjes ekonomike që Brukseli ka vendosur në dispozicion të rajonit tonë për një sërë projektesh.

Tv Klan