Formula 1 do të ketë një pilot brazilian me kohë të plotë për herë të parë që nga viti 2017, pasi Sauber njoftoi akordin me 20-vjeçarin Gabriel Bortoleto.

Skuderia zvicerane ndërpreu bashkëpunimin me Valtteri Bottas dhe Zhou Guan-ju për sezonin 2025 dhe më herët konfirmoi se përveç Bortoletos, në ekip do të jetë edhe piloti 37-vjeçar gjerman Niko Hulkenberg.

Nga viti 2026, partneri i skuderisë do të bëhet Audi. Paraqitja e skuderisë ka qenë negative këtë sezon në F1, ndërsa në renditjen e konstruktorëve nuk kanë asnjë pikë dhe asnjë prej pilotëve nuk ka përfunduar në 10-shen më të mirë në asnjë prej garave.

Dyshja Bottas- Guaniu janë pjesë e Sauber që nga viti 2022. Fillimi ishte i mirë dhe ata e renditën skuderinë në vend të gjashtë, ndërsa në edicionin e shkuar në vend të nëntë. Drejtuesi i Sauber shpjegoi vendimin për të firmosur me Bortoleton.

“Arsyeja se përse ne vendosëm për Gabrielin është e para sepse unë u befasova nga karriera e tij deri më tani çfarë ka bërë në Formula 3 dhe Formula 2. Aktualisht kryeson me pikë, ndërsa kanë ngelur edhe tri gara. Por çfarë më befasoi më shumë, është përparimi i tij. Jo vetëm kapaciteti për të pilotuar dhe fituar, por edhe ngritja nga Formula 3 në Formula 2. Për udhëtimin tonë, për Audi F1, të rritemi bashkë me një pilot të ri është diçka me rëndësi dhe jemi të bindur se kemi bërë zgjedhjen e duhur.”

Piloti 20-vjeçar u shpreh se ishte shumë mirënjohes që tani do të garojë në F1, duke u bashkuar me yje të tjerë në ngjitje në kampionatin botëror të makinave si Oliver Bearman te Haas dhe Kimi Andrea Antonelli pjesë e Mercedes.

Klan News